“Për të realizuar tranzicionin e gjelbër, është e nevojshme një sinergji midis të gjithëve – institucioneve, qytetarëve, sektorit civil dhe mediave, ndersa me guxim politik, dije dhe qëndrueshmëri nga ata që udhëheqin këtë proces, Mali i Zi mund të arrijë standarde konkrete të Evropës së Gjelbër brenda dhjetë viteve të ardhshme,” kështu u përmbyll konferenca me titull “A është rruga nga realiteti drejt një të ardhmeje të gjelbër e gjatë?”, e organizuar sot nga Aleanca qytetare në Podgoricë.
Konferencën e hapën Milan Radoviq, drejtor programi i Aleancës qytetare, Damjan Qulafiq, ministër i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, dhe Lejla Dervišagić, shefe e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës.
Damjan Qulafiq, ministër i ekologjisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të veriut, theksoi rolin e rëndësishëm të sektorit të OJQ-ve në promovimin e politikave të gjelbra. Ai gjithashtu tha se rruga nga realiteti në një të ardhme të gjelbër përfshin një spektër të gjerë akterësh – nga institucionet dhe sektori privat, tek komunitetet lokale dhe çdo qytetar në veçanti.
Milan Radoviqi, drejtori i programit të AQ-së, tha se në Mal të Zi prej vitesh flitet për domosdoshmërinë e tranzicionit të gjelbër dhe nevojën për të mbrojtur atë që na përcakton si një shtet ekologjik – natyrën, ajrin, ujin, malet, detin, gjithçka që e bën këtë vend unik.
“Midis deklaratave dhe ndryshimeve reale shpesh qëndrojnë pengesa: inercia politike, investimet e pamjaftueshme, vetëdija e ulët ekologjike, korrupsioni në planifikimin hapësinor dhe injorimi i rekomandimeve të ekspertëve dhe sektorit civil,” theksoi Radoviq.
Lejla Dervishagiq, shefe e Zyrës së programit të Këshillit të Evropës, vuri në dukje lidhjen e ngushtë mes Këshillit të Evropës si një organizatë që merret me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit. Ajo rikujtoi se në Rejkjavik, në vitin 2023, u miratua një Deklaratë me të cilën Këshilli i Evropës konfirmon përkushtimin e tij ndaj kësaj çështjeje, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit nuk mund të ndahet nga të drejtat themelore të njeriut, dhe se përkatësisht një mjedis i shëndetshëm është një e drejtë themelore e njeriut.
Panelistët në konferencë ishin Aleksandra Despotoviq, deputete në Kuvendin e Malit të Zi dhe anëtare e Komisionit për turizëm, bujqësi, ekologji dhe planifikim hapësinor, Drashko Boljeviq, drejtor i EKO fondit – Fondit për mbrojtjen e mjedisit të Malit të Zi, dhe Danko Jokanoviq, drejtor ekzekutiv i OJQ-së UZOR.
Duke folur për pengesat më të mëdha që e ndalojnë përcaktimin “shtet ekologjik” të bëhet bazë e politikës reale shtetërore, Aleksandra Despotoviq, deputete në Kuvendin e Malit të Zi, theksoi rëndësinë e gjetjes së një ekuilibri ndërmjet ekonomisë dhe ekologjisë, si dhe domosdoshmërinë për të punuar në zhvillimin e vetëdijes qytetare që nga çerdhet, nëpërmjet arsimit dhe politikave publike.
“Përveç vullnetit politik, është e domosdoshme që këtë fushë ta zbatojnë njerëz që e njohin atë. Mendoj se nëse ndryshojmë qeveritë, nuk duhet automatikisht të ndryshojmë njerëzit që kanë dijeni dhe japin rezultate. Dija duhet të jetë mbi politikën,” tha Despotoviq.
Sipas fjalëve të Drashko Boljeviqit, drejtorit të Eko fondit, ky fond ka shënuar një rritje të ndjeshme të interesimit të qytetarëve për masat e efiçencës energjetike gjatë katër viteve të fundit, nga vetëm pesë aplikime në vitin 2021 në mbi 4.000 sot. Megjithatë, fokusi kryesor i qytetarëve vazhdon të mbetet përfitimi financiar, ndërsa rëndësia e përfitimeve ekologjike ende nuk njihet sa duhet.
Ai deklaroi se Eko fondi, në periudhën e ardhshme, do të drejtojë mjetet e mbledhura nga tarifat për përdorimin e qeseve plastike drejt projekteve për rritjen e vetëdijes së qytetarëve, përmes bashkëpunimit me sektorin civil dhe komunitetet lokale. Qëllimi i tyre, siç tha, është të kapërcejnë hendekun mes qëndrimeve dhe veprimeve konkrete.
Danko Jokanoviq, drejtor ekzekutiv i OJQ-së UZOR, u shpreh se është shqetësuese fakti që pas më shumë se 30 vitesh kemi një rënie të besimit në konceptin e shtetit ekologjik.
Duke folur për mënyrat se si politikat e gjelbra t’u afrohen qytetarëve, ai vlerësoi se qytetarët nuk do ta mbështesin tranzicionin e gjelbër pa përjetuar përfitime personale dhe pa kuptuar qartë pse ky proces është i rëndësishëm për ta.
Jokanoviq theksoi se organizatat joqeveritare duhet të jenë partnerë të barabartë me institucionet shtetërore në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër dhe standardeve evropiane, pasi ato mund të ndihmojnë në kapërcimin e problemeve kur qytetarët nuk e kuptojnë procesin – sepse kur nuk e kuptojnë, ata i kundërvihen atij.
Në konferencë u prezantua analiza “Veprime inovative për një të ardhme më të gjelbër”, e cila trajton një nga sfidat më serioze ekologjike dhe infrastrukturore të ditëve të sotme – menaxhimin e mbeturinave. Analiza është e disponueshme në faqen zyrtare të internetit të Aleancës qytetare.
Ngjarja përfundoi me një ceremoni solemne të ndarjes së diplomave për pjesëmarrësit/pjesëmarrëset e gjeneratës së XXII-të të Shkollës për Studime Politike (SHSP), të cilët e përfunduan me sukses ciklin për periudhën 2024/2025.
Kjo konferencë u organizua me mbështetjen e Eko fondit– Fondit për mbrojtjen e mjedisit, në kuadër të projektit “Veprime inovative për një të ardhme më të gjelbër”, i cili zbatohet nga Aleanca qytetare.