Efekti i zbatimit të ndalimit të qeseve plastike dhe plastikës për një përdorim, si dhe sfidat në zbatimin e ligjit, ishin në fokus të mbledhjes së djeshme të Grupit të Gjelbër të deputetëve, e mbajtur me iniciativë të Aleancës Qytetare.
Në punën e mbledhjes, përveç anëtarëve të Grupit të Gjelbër të deputetëve dhe përfaqësueses së Aleancës Qytetare, Danijela Darmanoviq, morën pjesë ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qulafiq, sekretari shtetëror Nenad Vitomiroviq, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të Drejtorisë për Ekologji, Lana Radunoviq, përfaqësuesi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Danilo Veliq, ndihmësi i drejtorit të Eko-fondit Nemanja Pekoviq, drejtori i Deponisë Aleksandar Bozhoviq, si dhe drejtoresha ekzekutive e Zero Waste Montenegro, Vanja Cicmil.
Çështja kyçe që hapi Aleanca Qytetare kishte të bënte me atë nëse zgjidhja ekzistuese ligjore ka çuar vërtet në ulje reale të përdorimit të plastikës apo nëse ende po përballemi me sasi të mëdha të mbetjeve plastike që përfundojnë në natyrë dhe potencialisht rrezikojnë mjedisin dhe shëndetin publik. Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të qeseve plastike më të trasha se 50 mikronë, të cilat ende lejohen kundrejt pagesës, si dhe ndikimit të tyre të përgjithshëm në mjedis.
Duke u nisur nga fakti se Mali i Zi tashmë prej më shumë se tre dekadash perkufizohet me Kushtetutë si shtet ekologjik, ndërsa viti 2026 njihet si jashtëzakonisht i rëndësishëm në kontekstin e mbylljes së Kapitullit negociues 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, ne theksuam nevojën për të rishqyrtuar se sa i jemi afruar realisht këtij ideali. Përshtypja që ekziston në publik është se, pavarësisht ndalimit ligjor dhe rritjes së tarifave, qeset plastike nuk janë zhdukur në masë të konsiderueshme nga përdorimi i përditshëm dhe se vazhdojnë të perfaqësojnë një nga format dominuese të mbetjeve.
Gjithashtu, hapëm edhe çështjen e vetëdijes ekologjike, në kontekstin se ekziston një shqetësim real që, para se të arrihet një përparim më i madh në ndryshimin e zakoneve të qytetarëve, në mjedis mund të përfundojë potencialisht edhe më shumë plastikë.
Theksuam gjithashtu nevojën për zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe rritje të efikasitetit të mbikëqyrjes inspektuese. Si ilustrim i sfidave në praktikë, u theksua se edhe gjatë vetë takimit janë perdorur produkte plastike për njëpërdorimshme, si gota dhe shishe, gjë që konfirmon edhe më tej sa e vështirë është zbatimi i masave ligjore pa një ndryshim sistematik në qasje. Gjithashtu u theksua se në disa lokale hotelerie dhe dyqane ende mund të gjenden produkte plastike të ndaluara, gjë që tregon nevojën për kontrolle më të forta dhe për zbatim më të qëndrueshëm të rregulloreve në nivel lokal.
Për këto arsye, Aleanca Qytetare konsideron se shteti duhet të marrë një rol më të vendosur dhe të mendojë për kufizime shtesë ose ndalim të plotë të qeseve plastike, duke forcuar gjithashtu kontrollin.
Vanja Cicmil i ka prezentuar anëtarët e Grupit Parlamentar të Gjelbër me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian në fushën e ambalazhit dhe mbeturinave të ambalazhit, duke përfshirë Direktivën 2015/720 dhe masat kryesore të Rregullores së re të BE-së pët ambalazhin (BE 2025/40), zbatimi i së cilës fillon më 12 gusht 2026. Ajo gjithashtu ka prezentuar të dhëna statistikore krahasuese mbi konsumimin e qeseve plastike për banor në vendet e BE-së, si dhe shembuj të praktikave të mira që kanë dhënë rezultate konkrete në reduktimin e mbeturinave plastike. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar gjendjes në Mal të Zi dhe rolit të institucioneve përgjegjëse në zbatimin e kuadrit ekzistues ligjor, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të qeseve plastike me trashësi nga 15 deri në 50 mikron, i cili filloi të zbatohet në tetor 2024.
Ministri Qulafiq njoftoi se të dhënat e deritanishme tregojnë një përparim të caktuar, duke theksuar se më herët në Mal të Zi përdoreshin rreth 100 qese plastike për banor, ndërsa sot përdoren rreth 65, gjë që tregon se masat e Ministrisë tashme po japin rezultatet e para. Ai rikujtoi se në fund të vitit 2024 është përcaktuar ndalimi i përdorimit të qeseve plastike me trashësi midis 15 dhe 50 mikronë, ndërsa për qeset më të trasha është vendosur një tarifë, si dhe detyrimi i Inspektoriatit të Tregut për të kontrolluar zbatimin e rregulloreve.
Ai gjithashtu theksoi se, sipas të dhënave të disponueshme, janë kryer më shumë se një mijë kontrolle inspektuese, janë lëshuar disa urdhra për kundërvajtje dhe janë nisur procedura kundër subjekteve që nuk e kanë respektuar ligjin.
Aleksandar Bozhoviq theksoi se pjesa e qeseve plastike në mbetjet totale që ata menaxhojnë është ulur ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme, madje me 70%, gjë që tregon për disa përparime pozitive, por edhe për nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të sistemit.
Përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Gjelbër vlerësuan se bëhet fjalë për një çështje që ka rëndësi më të gjerë, nga mbrojtja e mjedisit dhe shendetit publik, deri te financat publike dhe integrimet evropiane.
Megjithëse ulja e numrit të qeseve për banor tregon përparim, u vlerësua se ekziston një hapësirë e konsiderueshme për masa shtesë, duke përfshirë zgjerimin e destinimit të mjeteve të Eko-Fondit, forcimin e fushatave edukative, veçanërisht ndër popullatën e re, nxitjen e përdorimit të çantave të ripërdorshme, si dhe ndryshime të mundshme në ligjin në fuqi për menaxhimin e mbeturinave.
Takimi u përmbyll me një vlerësim të përbashkët se është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet institucioneve, sektorit civil dhe vendimmarrësve, me qëllim që të gjenden zgjidhje më efikase që do të kontribuojnë në uljen reale të perdorimit të plastikës dhe në mbrojtjen afatgjatë të mjedisit në Mal të Zi.
Kjo nismë është pjesë e projektit “Gjurma e Plastikës” që zbatohet nga Aleanca Qytetare, dhe financohet nga Fondi për Mbrojtjen e Mjedisit – Eko Fondi.





