Sundimi i ligjit nuk duhet të mbetet në sirtarët e institucioneve; ai duhet të jetë i gjallë, i dukshëm dhe efektiv, sepse vetëm kështu qytetarët mund të kenë mbrojtje të vërtetë të të drejtave të tyre, ndërsa shteti një rrugë të besueshme përpara, u përfundua në konferencën “Sundimi i ligjit në sirtarët e drejtësisë” të mbajtur sot në Podgoricë.
Konferenca u realizua në kuadër të Programit të shënimir të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në organizim të Avokatit të Popullit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Malit të Zi dhe Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Podgoricë.
Konferencën e hapi presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pas së cilës fjalimet hyrëse mbajtën edhe Fatmir Gjeka, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Siniša Bjekoviq, Avokati i Popullit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Malit të Zi, Lejla Dervishagiq, drejtuesja e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Podgoricë, dhe Ivan Raduloviq, koordinator i programit për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë në Aleancën Qytetare.

Ai paralajmëroi se pasojat e një sistemi jo funksional prekin më së shumti qytetarët: ata që presin mbrojtje gjyqësore, viktimat e dhunës, punëtorët të cilëve u shkelën të drejtat dhe anëtarët e pakicave që ndjehen se vlejnë më pak para ligjit. Ai theksoi se mungesa e sundimit efektiv të ligjit çon në humbjen e besimit në institucione, por edhe në largimin e të rinjve, të cilët në një ambient të tillë nuk shohin perspektivë.
Ministri Fatmir Gjeka u bëri të ditur se të drejtat e njeriut duhet të mbrohen në mënyrë të qëndrueshme dhe se çdo dështim i institucioneve dëmton sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve. Ai theksoi se zbatimi i barabartë i ligjit dhe një drejtësi e pavarur janë themeli i një shoqërie të drejtë, veçanërisht në kohën e shkeljeve serioze globale të të drejtave.

Ai theksoi se Mali i Zi mund të përparojë vetëm përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e grave dhe ndjekjen efikase të krimeve të urrejtjes. “Do të vazhdojmë të hapim sirtarët dhe të ndertojmë një sistem transparent dhe të përgjegjshëm”, u shpreh Gjeka, duke shtuar se sundimi i ligjit duhet të jetë themeli i shoqërisë.
Siniša Bjekoviq kujtoi se Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është simbol i një beteje dhe zhvillimi të sistemit të mbrojtjes së të drejtave që zgjat dekada, dhe se të drejtat e njeriut mbeten të pakontestueshme në nivelin e parimeve, por shpesh zbatohen në mënyrë të pandershme në praktikën e institucioneve. Ai theksoi lidhjen e pandashme mes sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke theksuar se njëri pa tjetrin nuk mund të ekzistojë, dhe se përpjekjet për t’u ndarë ato janë një iluzion, si në teori ashtu edhe në praktikë.

Duke folur për integrimet evropiane, Bjekoviq u shpreh se betejat më të rëndësishme për perparimin e Malit të Zi zhvillohen pikërisht brenda institucioneve, veçanërisht atyre të drejtësisë, të cilat duhet të tregojnë gatishmërinë për të marrë plotësisht standardet ndërkombëtare. Ai theksoi se detyra e gjithë shoqërisë është të punojë për standarde të unifikuara të të drejtave të njeriut dhe që “sirtarët” e drejtësisë të mbyllen në kohë dhe me cilësi, sepse publiku me të drejtë pret rezultate, ndërsa drejtësia është aktori kryesor në sigurimin e mbrojtjes reale të të drejtave.
Lejla Dervishagiq kujtoi se Këshilli i Evropës është ndërtuar mbi parimet e paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, dhe se Konventa Evropiane, edhe pas 75 vjetësh, mbetet një “instrument i gjallë” mbrojtjeje për miliona njerëz, pavarësisht sfidave bashkëkohore si fjalimi i urrejtjes, dezinformatat dhe sulmet ndaj lirisë së mediave.

Ajo theksoi se Pakti i Ri Demokratik për Evropën është përgjigje ndaj këtyre sfidave, me synimin e forcimit të besimit në proceset demokratike dhe institucionet. Këshilli i Evropës, siç theksoi ajo, mbetet kompas moral dhe juridik i Evropës dhe një kujtesë se pa të drejtat e njeriut nuk ka as stabilitet dhe as përparim demokratik.
Ivan Raduloviq u shpreh se Mali i Zi, pavarësisht një përparimi të caktuar në harmonizimin me standardet evropiane, vazhdon të përballet me sfida serioze në praktikën e sundimit të ligjit. Ai theksoi se procedurat e gjata gjyqësore, zbatimi i kufizuar i rregulloreve dhe mbrojtja e pabarabartë e grupeve të cenueshme mbeten pengesa kyçe që minojnë besimin e qytetarëve në institucione.

Ai theksoi se gjykatat e pavarura, prokuroria e fuqizuar profesionalisht dhe institucionet e çliruara nga ndikimet e papërshtatshme janë parakusht për mbrojtjen reale të të drejtave të njeriut, sepse pa një drejtësi efikase standardet evropiane mbeten vetëm në letër.
Panelistë në konferencë ishin Momo Koprivica, zëvendëkryeministër i Qeverisë për sistemin politik, drejtësinë dhe antikorrupsionin, Tatjana Ljujiq, gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, dhe Armin Selmanović, prokuror shtetëror në Prokurorinë e Lartë të Shtetit.
Momo Koprivica tha se kushtet e punës në drejtësi patjetër duhet të përmirësohen, “por se kjo nuk mund të jetë justifikim për mungesën e rezultateve”. Ai kujtoi se është përcaktuar një lokacion i ri për Pallatin e Drejtësisë dhe se, sa i përket zhvendosjes së Prokurorisë Speciale të Shtetit në godinën e vjetër të Qeverisë, “kanë qenë në pikën zero”. “Qeveria e mëparshme e kishte marrë vendimin, por për një vit e gjysmë nuk ndodhi asgjë. Në perfunduam tenderin për adaptim, u përgatit dokumentacion i gjerë planifikues dhe tenderues, dhe objekti mori statusin e mbrojtur”, tha ai, duke shtuar se ankesa e një ofertuesi u refuzua dhe se punimet po nisin këto ditë, me afat prej 60 ditësh, ndaj pret që zhvendosja të realizohet në shkurt.

Duke komentuar plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, Koprivica theksoi se, edhe pse nuk ka pasur bllokim të punës, ky proces duhet të jetë prioritet. “Mendoj se dialogut duhet t’i qasemi me një nivel më të lartë vëmendjeje dhe përgjegjësie, dhe kjo para votimit, atëherë dërgohet qartë mesazhi se po krijohen kushte për pazare”. Ai theksoi se publiku ka të drejtë për kritikë, duke porositur: “Duhet të bëhen më shumë analiza objektive; ndonjëherë, nëse nuk ndodh zgjedhja, atëherë ka pasur tregti. Sipas atij parimi: nëse ecën nuk vlen, nëse qëndron po ashtu nuk vlen”. Vetingun e konsideron prioritet që duhet të përfshijë të gjithë aktorët, ndërsa, siç tha ai, “vendimin përfundimtar do ta marrin organet e pavarura, e jo politikanët”. Si një nga argumentet kyçe për vetingun, ai përmendi të dhënën se Prokurori i Lartë i Shtetit (VDT) gjatë vitit 2024 ka paraqitur 19 kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, nga të cilat Gjykata Supreme ka pranuar 16.
Tatjana Ljujiq vuri në dukje mungesën e kuadrove, kapaciteteve hapësinore dhe mjeteve materiale, duke theksuar se pavarësisht kësaj, “kolegët gjqytarë bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i zgjidhur çështjet, duke punuar edhe jashtë orarit”. Ajo tha së punën e gjyqtarëve e vështirëson më tej “një lloj stigme kolektive”, për shkak të së cilës opinioni publik, për shkak të rasteve individuale, dyshon në punën e ndershme të gjithë gjyqtarëve. “Nuk duhet të ketë përgjithësime; kur dikush gabon, duhet të dihet me emër dhe mbiemër. Ky stigmatizim duhet të humbasë forcën që gjyqësori të japë kapacitetin e tij të plotë. Ky është qëndrimi im personal”, tha Ljujiq. Duke kujtuar se ndaj 11 ish-gjqytarëve dhe gjqytarëve aktualë, si dhe prokurorëve në Mal të Zi, po zhvillohen procedura penale për dyshime për vepra të ndryshme penale.

Ljujiq theksoi se gjykatat “po mbyten nga lënda”, por se po punohet në hartimin e udhëzimeve profesionale për denime në çësthjet e krimit të rëndë dhe të organizuar, me ç’rast, siç tha ajo, do të forcohet integriteti i gjyqtarëve dhe do të kontribuohet në vendime të ligjshme, të drejta dhe në kohë.
Armin Selmanoviq theksoi se kritikat janë pjesë përbërëse e proceseve demokratike dhe se prokuroria i sheh ato si një mundësi për punë shtesë dhe përmirësim, “sepse nga kritika, negativja mund të shndërrohet në pozitive”. Ai vuri në dukje se gjatë debatit parlamentar për raportin e punës së Prokurorisë u fol më së paku për rezultatet, por theksoi se “perceptimi politik nuk do të mbizotrojë mbi standardet profesionale dhe vendimet e ligjshme”.

Selmanoviq vlerëson se në Prokurori janë arritur përparime të dukshme dhe janë zbatuar reforma të rëndësishme, duke theksuar se “Prokuroria nuk ka asnjë lëndë të fshehur në sirtarë”. Lëndët në trajtim, sipas rregullave, gjenden në zarfe, dosje ose paketa për shkak të vëllimit të tyre, ndërsa shpejtësia e vendimmarrjes varet nga kompleksiteti i çështjes, siç janë krimi i organizuar, krimet e luftës dhe korrupsioni”, shtoi ai.
Ai rikujtoi gjithashtu se institucioni ka kaluar nëpër një numër të madh pensionimesh, për shkak të të cilave pothuajse gjysma e prokurorëve është zëvëndësuar, gjë që ka sjellë një përtëritje të dukshme të kuadrit, dhe theksoi se prokurorët “nuk kanë frikë nga një veting i mundshëm”.





