“Barazia gjinore në proceset vendimmarrëse dhe në pozitat drejtuese nuk duhet të jetë një imperativ që vjen nga jashtë, por pasqyrim i pjekurisë së brendshme të shtetit dhe një masë e emancipimit të vërtetë të shoqërisë,” ishte përmbledhja e konferencës “Fuqia e vendimmarrjes pa barazi gjinore”, e organizuar nga Aleanca Qytetare.
Konferencën e hapën presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović dhe drejtori I programit të Aleancës Qytetare, Milan Radović, të cilët në fjalimet hyrëse theksuan rëndësinë e barazisë gjinore si një parim themelor i shoqërive demokratike moderne dhe si bazë për menaxhim efikas, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës të burimeve publike.
Jakov Milatović, presidenti i Malit të Zi, në fjalimin e tij shprehu gatishmërinë për të qenë partner i të gjitha nismave që do ta bëjnë Malin e Zi më të barabartë. Ai gjithashtu theksoi se barazia gjinore nuk është çështje e korrektësisë politike, por e përgjegjësisë politike.
“Institucionet nuk mund t’u shërbejnë të gjithëve nëse nuk i përfaqësojnë të gjithë. Nëse nuk i përfshijnë të gjitha shtresat e shoqërisë, ato humbin lidhjen me realitetin dhe është koha të themi qartë se nuk ka përfaqësim të vërtetë pa barazi gjinore,” tha ai.
Drejtori I programit të Aleancës Qytetare, Milan Radović, theksoi se larmia në strukturat drejtuese sjell rezultate më të mira, transparencë më të madhe dhe një drejtim më të përgjegjshëm të institucioneve.
“Kur gratë kanë vendin e tyre në procesin vendimmarrës, vendimet pasqyrojnë më mirë nevojat e të gjithë shoqërisë. Injorimi i këtij potenciali nuk është vetëm një mangësi shoqërore, por edhe një humbje e konsiderueshme ekonomike,” përfundoi Radović.
Në pjesën hyrëse të konferencës, Danijela Darmanović, koordinatore e komunikimit në Aleancën Qytetare, prezantoi analizën “Fuqia e vendimmarrjes pa barazi gjinore: Ku janë gratë në bordet drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore?”.
Analiza, e cila përfshiu dhjetë ndërmarrjet më të mëdha shtetërore në Mal të Zi, tregoi një mungesë serioze të përfaqësimit gjinor në strukturat e tyre drejtuese. Madje pesë nga dhjetë ndërmarrjet e analizuara nuk kanë asnjë grua në bordin e drejtorëve, ndërsa vetëm dy ndërmarrje plotësojnë kuotën prej 40% të përcaktuar nga Direktiva e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, vetëm një ndërmarrje ka një grua në pozitën e kryesuese së bordit.
Analiza tregoi më tej se Mali i Zi, nëse nuk përmirëson praktikën aktuale, nuk do të arrijë të përmbushë standardet evropiane të përcaktuara në Direktivën (BE) 2022/2381 brenda afatit të caktuar deri në qershor të vitit 2026.
Është vërejtur gjithashtu se mungon një mekanizëm funksional mbikëqyrjeje mbi zbatimin e ligjit për barazinë gjinore, ndërsa mungesa e një ligji të veçantë për përzgjedhjen dhe përgjegjësinë e anëtarëve të bordeve drejtuese lë hapësirë për ndërhyrje politike dhe mungesë të kritereve të qarta profesionale.
Në këtë kontekst, ndryshimet dhe plotësimet e paralajmëruara të Ligjit për shoqëritë tregtare, të cilat do të vendosin objektiva të detyrueshme për përfaqësimin gjinor, paraqesin një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit me kuadrin juridik evropian dhe forcimit të parimeve të qeverisjes së mirë.
Në mënyrë të veçantë dhe shqetësuese është e theksuar edhe mungesa transparencës në ndërmarrjet shtetërore në qasjen ndaj të dhënave, përfshirë pamundësinë për të hyrë në statutet dhe biografitë e anëtarëve të bordeve, gjë që pengon kontrollin e duhur publik dhe institucional.
Pas prezantimit të analizës, u mbajt një panel ku morën pjesë: Predrag Zenović, kryenegociator i Malit të Zi me Bashkimin Evropian,
Boris Mugoša, deputet në Kuvend dhe anëtar i Komisionit për Barazinë Gjinore dhe Sanja Mrkić, udhëheqëse e programit Women on Boards në Bankën Qendrore të Malit të Zi.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse gjendja aktuale, përkatësisht përjashtimi pothuajse i plotë i grave nga strukturat vendimmarrëse, ngadalëson rrugën evropiane të Malit të Zi, Predrag Zenović deklaroi:
“Burimet më të mëdha në këtë shtet janë në duart e burrave. Balanca gjinore në jetën politike mungon dhe ky hendek i dukshëm përbën pengesë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Përfshirja më e madhe e grave do të ishte një sinjal i fuqishëm dhe pozitiv.” Ai shtoi gjithashtu se çdokush që ka ndonjë hezitim për sa i përket luftës për barazi, nuk i përket kësaj faze të emancipimit politik që është thelbësore për Malin e Zi.
Ai shtoi se barazia gjinore nuk nënkupton vetëm korrigjimin e diskriminimit dhe padrejtësive gjinore ndaj grave, por është rrugë drejt një shoqërie më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse. Ai theksoi gjithashtu shqetësimin për faktin se në Mal të Zi për çështjen e barazisë gjinore zakonisht flitet nga perspektiva e burrave.
Në kontekstin e hapave që duhet ndërmarrë që Mali i Zi deri në qershor të vitit 2026 të arrijë kuotën e përcaktuar nga Direktiva e BE-së 2022/2381, Zenović deklaroi:
“Neni 5 i Direktivës (BE) 2022/2381 për përmirësimin e barazisë gjinore, ndër të tjera, përcakton që përfaqësuesit e gjinisë më pak të përfaqësuar duhet të zënë të paktën 40% të pozitave të drejtorëve joekzekutivë, përkatësisht të paktën 33% të të gjitha pozitave drejtuese, duke përfshirë drejtorët ekzekutivë dhe joekzekutivë.
Prandaj, për të arritur një balancë të caktuar në strukturat drejtuese është e domosdoshme që kjo Direktive të shndërrohet në ligj.”
Deputeti Boris Mugoša, duke folur nga perspektiva e pushtetit ligjvënës dhe komisionit parlamentar kompetent, theksoi se barazia gjinore është një çështje civilizuese dhe se çdo person duhet të ketë mundësi dhe shanse tërësisht të barabarta.
“Çdo ligj ka ndikim të ndryshëm tek burrat dhe tek gratë, dhe kjo duhet të njihet përmes analizës së thellë të përmbajtjes së ligjeve kur diskutohet për to. Nuk na duhen ligje evropiane për të na detyruar të zbatojmë parimet bazë të qytetërimit” theksoi Mugoša.
Duke u ndalur te statistikat e paraqitura në analizën e Aleancës Qytetare, ai tha se këto gjetje pasqyrojnë gjendjen reale dhe demotivojnë më tej gratë që të angazhohen në politikë ose në punë që lidhen me politikën.
Në lidhje me kuadrin ligjor që rregullon çështjen e barazisë gjinore në Mal të Zi, Mugoša theksoi se ligjet ekzistojnë dhe janë të mira, por problematikë është interpretimi dhe zbatimi i tyre.
Sanja Mrkić, udhëheqëse e programit Women on Boards në Bankën Qendrore të Malit të Zi, u ndal te rëndësia e politikave institucionale dhe praktikave të mira në institucionin që përfaqëson, duke bërë një paralelizëm midis sektorit privat dhe atij publik në aspektin e barazisë gjinore.
“Sektori privat karakterizohet nga një numër më i madh i grave në pozita udhëheqëse, me mundësi më të mira për avancim karriere. Megjithatë, ende jetojmë në një shoqëri të ngarkuar me stereotipe, ku profesionet ndahen në ‘të meshkujve’ dhe ‘të grave’. Prandaj, është thelbësore që praktikat e mira nga sektori privat të fillojnë të zbatohen edhe në sektorin publik, sepse ato kanë treguar se janë efektive dhe të dobishme,” theksoi ajo.
Duke folur për programin Women on Boards, Mrkić theksoi se qëllimi kryesor i tyre është fuqizimi dhe rritja e dukshmërisë së lidereve të ardhshme. Ajo shtoi se pika më e fortë e kësaj iniciative është realizimi i saj përmes një bashkëpunimi të gjerë midis komunitetit të biznesit dhe sektorit publik, si dhe me përfshirjen e vetë presidentit Milatović dhe një numri të madh partish politike.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e projektit rajonal SMART Balkan – Shoqëria civile për një Ballkan Perëndimor të lidhur, të implementuar nga Qendra për promovimin e shoqërisë civile (CPCD), Qendra për kërkime dhe politikë (CRPM) dhe Instituti për demokraci dhe ndërmjetësim (IDM), kurse financiarisht mbështetet nga Ministria e punëve të jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.