Me rastin e Ditës së Gazetarëve të Malit të Zi, Aleanca Qytetare u përcjell urimet të gjithë gazetarëve dhe punonjësve të mediave, duke rikujtuar se liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë pjesë përbërëse e sundimit të ligjit dhe një nga treguesit kyç të kapacitetit demokratik të shoqërisë.
Pavarësisht miratimit të dokumenteve normative dhe strategjike në fushën e lirisë së medias, Mali i Zi vazhdon të shënojë një numër të madh sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, çka tregon qartë një hendek të rëndë midis obligimeve formale të shtetit dhe zbatimit të tyre të qëndrueshme në praktikë.
Sipas të dhënave të Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 28 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, ndërsa gazetaret janë ekspozuar në mënyrë disproporcionale më shpesh ndaj kërcënimeve dhe sulmeve, çka kërkon një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, duke përfshirë edhe dimensionin gjinor.
Edhe pse janë miratuar Protokolli për mbrojtjen e gazetarëve dhe Vendimi për formimin e Grupit Punues Ndërministror si hapa të rëndësishëm institucionalë, zbatimi i tyre i pasigurt, si dhe përgjigja e papërshtatshme në disa raste kërcënimesh dhe sulmesh, përfshirë rastet e fotoreporterit Boris Pejoviq dhe Stevo Vasiljeviq, tregojnë dobësi serioze të sistemit të mbrojtjes.
Veprimet e institucioneve kompetente në këtë fushë ndikojnë drejtpërdrejt në vlerësimin e progresit të Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të kapitujve negociues 23 dhe 24. Progresi nuk mund të matet vetëm me miratimin e rregulloreve dhe strategjive, por me rezultate konkrete në praktikë dhe forcimin e besimit në institucione.
Komisioni Evropian në vazhdimësi vë në dukje sfidat strukturore në sektorin e mediave, përfshirë mungesën e dialogut social dhe kushtet e pafavorshme të punës. Mali i Zi në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias vazhdon të vlerësohet si “i përgatitur në mënyrë të moderuar”, ndërsa mungesa e zbatimit të qëndrueshëm të kornizës ligjore tregon kapacitete institucionale të kufizuara.
Me rastin e Ditës së Gazetarëve të Malit të Zi, Aleanca Qytetare thekson se pa media të lira dhe të sigurta nuk ka shoqëri demokratike, as një proces të besueshëm të integrimeve evropiane.
Aleanca Qytetare





