Gratë në politikën lokale të Malit të Zi nuk kanë qasje të barabartë në proceset e vendimmarrjes, as dukshmëri dhe vlerësim të njëjtë brenda strukturave partiake. Perceptimi i diskriminit është jashtëzakonisht i lartë, ndërsa gratë përfshihen në politikë kryesisht për të përmbushur kuotat ligjore, e jo për shkak të kompetencave të tyre.
Këto janë rezultatet kryesore të hulumtimit “Pjesëmarrja e grave në politikën lokale të Malit të Zi – analizë empirike e qëndrimeve dhe përvojave të këshilltareve”, të realizuar nga Aleanca Qytetare. Gjetjet tregojnë se mekanizmat institucionalë, si kuotat, nuk janë të mjaftueshme për të siguruar barazi reale, pasi kultura politike dhe shpërndarja e pushtetit vazhdojnë të mbeten kryesisht të dominuar nga burrat.
Madje më shumë se 80% e të anketuarave mendojnë se gratë në politikë janë të diskriminuara, ndërsa më shumë se një e treta e përshkruajnë këtë diskriminim si të theksuar dhe sistematik. Njëkohësisht, pothuajse 60% e politikaneve deklarojnë se marrin pjesë vetëm pjesërisht në procesin e vendimmarrjes, ndërsa çdo e pesta nuk ka asnjë qasje në proceset kyçe politike.
Pothuajse tri të katërtat e politikaneve (76,1%) besojnë se gratë hyjnë në politikë për shkak të kuotave, e jo për shkak të ekspertizës së tyre apo thirrjes brenda partisë. Numri më i madh i të anketuarave vlerëson se motivimi është në masë të madhe i lidhur me kuotat, çka tregon një ndjenjë përfshirjeje formale për të përmbushur rregulloret, e jo një njohje reale të kapacitetit politik të grave. Vetëm një e katërta përmend ambiciet personale si motivin kryesor të hyrjes në politikë, gjë që është një shenjë pozitive, por e pamjaftueshme për të ndryshuar strukturën e pushtetit.
Më alarmantja ndër gjetjet lidhet me perceptimin e paragjykimit të vetëdijshëm gjinor brenda partive. Plot 85,1% e politikaneve mendojnë se partitë i neglizhojnë me vetëdije gratë e arsimuara dhe të afta, duke zgjedhur në vend të tyre kolegë meshkuj për funksione drejtuese. Më shumë se gjysma e të anketuarve shprehin pajtim të fortë me pohimin se gratë kompetente anashkalohen në mënyrë sistematike gjatë shpërndarjes së funksioneve. Ky rezultat konfirmon se gratë nuk përballen me mungesë kapacitetesh, por me një rezistencë thellësisht të rrënjosur ndaj lidershipit të grave dhe me rrjete të mbyllura të pushtetit politik, të dominuara nga burrat.
Hulumtimi tregon gjithashtu se seksizmi vazhdon të jetë pjesë përbërëse e mjedisit politik. Më shumë se 30% e politikaneve kanë përjetuar komente seksiste ose nënçmuese. Pavarësisht kësaj, politikanet tregojnë një nivel të lartë vetëbesimi, çka dëshmon për një kapacitet të fortë profesional që sistemi politik ende nuk e njeh në masë të mjaftueshme.
Ndryshe nga strukturat partiake, familja dhe komuniteti lokal në përgjithësi u ofrojnë mbështetje grave në politikë. Megjithatë, pothuajse një e treta e të anketuarave theksojnë se angazhimi politik ka ndikim negativ në jetën e tyre private, më së shpeshti për shkak të mbingarkesës, mungesës së kohës dhe presionit të shtuar publik. Kjo tregon se gratë ende mbajnë barrën më të madhe të balancimit midis obligimeve private dhe profesionale, ndërsa sistemi politik nuk ofron mekanizma adekuatë mbështetës.
Hulumtimi është realizuar me 70 politikane lokale nga 17 komunat në Mal të Zi, përmes një pyetësori të strukturuar që kombinoi qasjen sasiore dhe cilësore, ndërsa gjetjet paraqesin një pasqyrë indikative të qëndrimeve dhe përvojave të tyre.





