Aleanca Qytetare përshëndet vendimin e autoriteteve kompetente që, pas pothuajse dy vite procedurash, Dinara Smailova dhe Almat Mukhamejanov të marrin statusin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare në Mal të Zi.
Dinara Smailova, aktiviste nga Kazakistani, foli publikisht për dhunën që ka përjetuar, duke u bërë kështu simbol i luftës kundër pandëshkueshmërisë dhe për të drejtat e grave në atë vend. Ajo, përmes themelimit të fondit “Lëvizja publike kundër dhunës #MosHeshtKZ”, ka ndihmuar mijëra gra në Kazakistan, ka çuar në dënimin e 315 dhunuesve dhe ka zbuluar pasivitetin sistematik të policisë kazake; mbi 200 policë kanë marrë ndëshkime disiplinare, kurse 12 policë janë dënuar me burg për vepra të rënda penale.
Për këtë arsye, regjimi kazak filloi ndaj saj tetë procedura penale me motiv politik, e akuzoi në mënyrë të rreme për mashtrim dhe për përhapje dezinformacionesh, ndërsa donatorët e fondit të saj u vunë nën hetime policore dhe intimiduese. Autoritetet i ndaluan kthimin në Gjeorgji, ku kishte jetuar në mërgim, kurse në Mal të Zi kërkoi mbrojtje ndërkombëtare.
Vendimi për të kërkuar strehim në Mal të Zi nuk ishte aspak i lehtë, por lindi nga kërcënimi real për sigurinë e saj, të cilin institucionet malazeze në fund e njohën dhe respektuan.
Me këtë u përmbyll një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, kurse Dinara Smailova dhe Almat Mukhamejanov tani kanë mundësinë të vazhdojnë jetën e tyre në një mjedis të sigurt, në Mal të Zi.
Kujtojmë se Dinara Smailova dhe Almat Mukhamejanov iu drejtuan Aleancës Qytetare gati dy vjet më parë dhe ekipi ynë ligjor i ka ndjekur ata gjatë të gjitha fazave të procedurës – nga shprehja e qëllimit dhe dorëzimi i kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare, deri te mbledhja, përgatitja dhe përkthimi i dokumentacionit të gjerë provues, si dhe gjatë dëgjimeve të shumta para autoriteteve kompetente.
Me përfundimin e procedurës kërkuese të provave, arritëm një rezultat pozitiv në këtë rast, i cili përfaqëson një sukses të rëndësishëm të angazhimit të përbashkët. Aleanca Qytetare do të vazhdojë bashkëpunimin me Dinarën Smailovën dhe Almat Mukhamejanovin, dhe përmes punës së mëtejshme do të ofrojë mbështetje për integrimin e tyre të plotë në shoqërinë malazeze.
Ndihma juridike falas është ofruar në bashkëpunim me UNHCR Mal i Zi, përmes projektit “Ofrimi i ndihmës juridike falas për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare dhe të përkohshme”.
Petar Vukçeviq,
Aleanca Qytetare