Përfshirja e të rinjve, forcimi i kapaciteteve lokale dhe avancimi i sundimit të ligjit përfaqësojnë parakushte kyçe për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet shoqëror në Mal të Zi dhe në rajon. Të rinjtë duhet të jenë aktorë aktivë, e jo vetëm vëzghues në proceset e vendimmarjes, prandaj është e domosdoshme ndërtimi i mekanizmave institucionalë që do të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre sistematike, nga niveli lokal deri në atë kombëtar. Këto janë disa nga përfundimet kryesore të takimit rajonal “Lidershipi lokal dhe angazhimi i të rinjve për një të ardhme më të sigurt”, të cilin Aleanca Qytetare e organizoi nga 5 deri më 7 dhjetor në Budva, në hotelin Avala.
Nëpërmjet bashkëpunimit të programeve Shkolla e Studimeve Politike e Malit të Zi dhe e Bosnjë-Hercegovinës, në takim morën pjesë kryetarë/kryetare të komunave, si dhe këshilltarë/këshilltare, të cilët gjatë qëndrimit treditor në Budva diskutuan mbi Agjendën “Të Rinjtë për Paqe dhe Siguri”. Takimi rajonal, i cili njëkohësisht përfaqëson fillimin e programit javor të Aleancës Qytetare kushtuar shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e hapën Milan Radoviq, drejtori i Aleancës Qytetare, Branimir Jukiq, ambasador i Bosnjë-Hercegovinës në Mal të Zi, dhe Edin Kolenoviq, shef i zyrës së RYCO-s në Mal të Zi.
Milan Radoviq vuri në dukje trendet shqetësuese demografike në Mal të Zi, duke theksuar se numri i të rinjve po zvogëlohet dhe se struktura e popullsisë po plaket me shpejtësi. Siç tha ai, ndërsa piramida demografike e viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë tregonte qartë se të moshuarit përbënin një pjesë më të vogël të popullsisë, sot në Mal të Zi nuk mund të flasim më për një piramidë, por për një drejtkëndësh që po shndërrohet me shpejtësi në një piramidë të përmbysur. Për këtë arsye, ai theksoi se është koha e fundit që të rinjtë të përfshihen në proceset e vendimmarrjes.

Sh.T. Branimir Jukiq falënderoi Aleancën Qytetare dhe Shkollën e Studimeve Politike për organizimin e takimit dhe përzgjedhjen e temave në kohën e duhur, duke theksuar se të rinjtë, për shkak të trendeve demografike në Mal të Zi, në rajon dhe në Evropë, fatkeqësisht janë shndërruar në një burim gjithnjë e më të kufizuar. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë të rinjvë që, pavarësisht mundësive për arsimin dhe punë jashtë vendit, vendosin të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve dhe shteteve të tyre. Jukiq theksoi se pikërisht të rinjtë do të jenë aktorët kyç që do ta udhëheqin shoqërinë boshnjako-hercegovinase dhe atë malazeze drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, ai e përgëzoi Malin e Zi për përparimin në procesin e integrimeve evropiane, duke shprehur bindjen se në vitin 2028 do të bëhet anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian. Kjo, siç theksoi ai, do t’i sjellë përfitime të shumëfishta Malit të Zi, gjithë rajonit dhe shteteve aspirante, pasi do të tregojë se politika e zgjerimit është e gjallë dhe se reformat japin rezultate, si dhe vetë Bashkimit Evropian, i cili në këtë mënyrë do të forcojë politikën e tij më të suksesshme dhe do ta kompletojë hapësirën gjeopolitike evropiane.
Edin Kolenoviq theksoi se projekti i Aleancës Qytetare kontribuon drejtpërdrejt, në Agjendën “Të Rinjtë për Paqe dhe Siguri”, e cila i njeh të rinjtë si krijues politikash dhe aktorë kyç të ndryshimeve shoqërore. Në një kohë kur të rinjtë gjithnjë e më shpesh shprehin mosbesim ndaj institucioneve, projekte të tilla u ofrojnë atyre hapësirë, zë dhe mjete konkrete për pjesëmarrje aktive. Kolenoviq rikujtoi se RYCO dhe OSBE prej vitesh punojnë që Agjenda YPS të shndërrohet në aktivitete reale, partneritete dhe politika në nivel lokal. Përmes programeve rajonale të RYCO-s, mbi 50.000 të rinj kanë marrë pjesë në iniciativa që forcojnë dialogun dhe mirëkuptimin.

Pas fjalimeve hyrëse, Jelena Milaniq, menaxhere e programeve të UNDP-së në Mal të Zi, prezantoi Agjendën YPS në kuader global dhe lokal. Ajo theksoi se Agjenda “Të Rinjtë për Paqe dhe Siguri”, nuk është vetëm një obligim global, por një kornizë praktike për ndërtimin e komuniteteve gjithëpërfshirëse dhe më rezistente në nivel lokal. Siç theksoi ajo, fuqizimi i të rinjve si partnerë aktivë në ndërtimin e paqes forcon kohezionin shoqëror, vlerat demokratike dhe besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve. Duke përfshirë perspektivën e të rinjve në proceset lokale të vendimmarjes, komunat mund të ulin polarizimin, të nxisin dialogun dhe të kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë agjendë me vlerat evropiane dhe parimet e qeverisjes pjesëmarrëse.

Dita e dytë filloi me ligjeratën “Të rinjtë si aktorë të paqes dhe stabilitetit”, të mbajtur nga Mirela Rajkoviq, konsultante e pavarur. Ajo vuri në dukje se perceptimet negative ndaj të rinjve përsëriten gjatë historisë dhe shpesh e zbehin potencialin e tyre real për të kontribuar në paqe dhe kohezion shoqëror. Përmes diskutimit mbi narrativat kundërthënëse dhe gjeneraten Z, ajo theksoi rëndësinë e një qasjeje ndërsektoriale, duke rikujtuar se të rinjtë nuk janë një grup homogjen dhe se politikat e suksesshme duhet të marrin parasysh identitete dhe përvoja të ndryshme.
Duke u nisur nga koncepti i paqes pozitive, Rajkoviq theksoi se paqja është shumë më tepër se mungesa e dhunës, dhe se ajo nënkupton institucione të drejta, besim dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve.

Sinisha Bjekoviq, Avokati i Popullit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Mal të Zi, mbajti ligjeratën me titull “Të Drejtat e Njeriut dhe sundimi i ligjit – standardet dhe sfidat”, në të cilën paraqiti trendet dhe problemet më të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe funksionimit të sundimit të ligjit në Mal të Zi. Ai theksoi se disa organe të pushtetit ende i trajtojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit si të pa detyrueshme, çka shpesh pasqyrohet në mungesën e plotë ose shtyrjen e përgjigjeve. Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e miratimit të Ligjit të ri për Avokatin e Popullit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, i cili do të vendosë detyrimin e qartë të organeve për t’u përgjigjur rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe do të parashikojë gjoba financiare për drejtuesit e organeve në rast se nuk e bëjnë këtë.

Duke folur për barazinë gjinore, Bjekoviq rikujtoi se gratë në Mal të Zi përbëjnë shumicën e popullsisë dhe shpesh kanë një nivel më të lartë arsimimi, por megjithatë janë të pamjaftueshme në perfaqësim në proceset e vendimmarrjes. Ai gjithashtu vuri në dukje sfidat strukturore në fushën e të drejtave të njeriut – nga rreth 1,200 raste që institucioni trajton çdo vit, afërsisht 240 lidhen me diskriminimin, ndërsa rreth 200 me të drejtat e fëmijës.
Në panelin “Mekanizmi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkomunal”, morën pjesë nënkryetarja e Komunës së Podgoricës Nagja Lilaniq, Milana Smilaniq, shefe e Departamentit për Cështje Profesionale dhe Administrative të Distriktit të Brçkos, Esad Marviq, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Almir Çausheviq nga Aleanca Qytetare.

Nënkryetarja e Komunës së Podgoricës, Nagja Lilaniq, theksoi se pas ndryshimit të pushtetit janë krijuar kushte më të mira për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje, dhe se sot shumë të rinj udhëheqin procese të rëndësishme në nivel shtetëror dhe lokal. Podgorica, ku jeton një e treta e popullsisë së Malit të Zi, ka një përgjegjësi të veçantë për të forcuar mekanizmat e përfshirjes së të rinjve, veçanërisht para titullit të Kryeqytetit Evropian të Rinisë 2026, të cilin e fitoi falë energjisë dhe përkushtimit të tyre. Lilaniq theksoi se për vitin e ardhshëm është parashikuar një buxhet i konsiderueshëm për programet rinore përmes disa sekretariateve, dhe se është e rëndësishme që zëri i të rinjve të dëgjohet më qartë, përfshirë edhe në nivelin e njësive të vetëqeverisjes lokale.
Milana Smilaniq, shefe e Departamentit për Çështje Profesionale dhe Administrative të Distriktit të Brçkos, theksoi se bashkëpunimi cilësor ndërkomunal dhe ndërkufitar bazohet në themele të forta dhe krijimin e rrugëve të hapura për të rinjtë. Siç tha ajo, dokumentet strategjike miratohen në parlament, por të rinjtë shpesh nuk përfshihen në këto procese; përmenden vetëm në kohën e zgjedhjeve, ndërsa në bankat e deputetëve nuk janë kur krijohen politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në pozitën e tyre. Nga përvoja praktike, ajo theksoi se bashkëpunimi me ministrat e rinj është jashtëzakonisht inkurajues, sepse ata sjellin energji dhe gatishmëri për ndryshime. Smilaniq theksoi veçanërisht se në Distriktin e Brçkos kanë arritur të përmirësojnë statusin e të rinjve përmes komunikimit të vazhdueshëm, ndjekjes së nevojave të tyre dhe gatishmërisë për të ndryshuar menjëherë projektet nëse rezultojnë të pamjaftueshme.
Esad Marviq, drejtori i Shkollës së Studimeve Politike të Bosnjës dhe Hercegovinës, theksoi se BiH është ndër rekordmenët botërore për largimin e të rinjve, gjë që thellon më tej problemet shoqërore dhe ekonomike në vend. Sipas tij, partitë politike shpesh i neglizhojnë të rinjtë sepse nuk i konsiderojnë si bazë votuese, ndërsa njëkohësisht “paqja sociale” mbahet me paratë që të rinjtë i fitojnë jashtë vendit dhe ua dërgojnë familjeve të tyre. Ky model, theksoi ai, nuk është i qëndrueshëm dhe shtyn përpara reformat kyçe që do t’u mundësonin të rinjve të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Almir Çausheviq nga Aleanca Qytetare prezantoi rekomandimet për rritjen e efikasitetit të komunave në BiH dhe Mal të Zi në perdorimin e fondeve të BE-së, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndërkufitar. Ai theksoi se fondet e BE-së nuk janë të rezervuara vetëm për projekte të mëdha infrastrukturore, por mund të përmirësojnë në mënyrë të konsiderueshme jetën e përditshme të qytetarëve përmes dixhitalizimit dhe modernizimit të administratës, efikasitetit energjetik, mbrojtjes së mjedisit, përmirësimit të sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, zhvillimit të inovacionit dhe transferimit të njohurive. Çausheviq vuri në dukje nevojën që çdo komunë të ketë një ekip të përhershëm projektesh të punësuar brenda administratës lokale, me konsultime të detyrueshme me sektorin civil, shkollat, universitetet, qendrat për punë sociale dhe ndërmarrjet publike, në mënyrë që projektet të bazohen në nevojat reale të komunitetit.
Programi tre ditor u përmbyll me ligjëratën “Diversiteti dhe dialogu ndërkulturor – parandalimi i konflikteve përmes përfshirjes” nga Dushan Medin, arkeolog i diplomuar dhe master menaxher në kulturë dhe media, i cili theksoi se përmes bisedave mbi kulturën dhe trashëgiminë kulturore në hapësirën më të gjerë të Ballkanit duhet të hapen çështje të përfshirjes, bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe pajtimit. Ai theksoi se potencialet e trashëgimisë kulturore duhet të orientohen drejt forcimit të dialogut dhe pajtimit, në vend të konflikteve dhe dhunës potenciale, dhe prezantoi disa shembuj pozitivë të përdorimit të praktikave kulturore dhe artistike në promovimin e pajtimit dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve.

Pas ligjeratës, ndoqi pjesa me titull “Me kulturë për paqe”, gjatë së cilës pjesëmarrësit vizituan Qytetin e Vjetër të Budvës, ku Medin u prezantoi të pranishmëve të kaluarën mijëvjeçare të qytetit dhe vuri në dukje faktin se trashëgimia kulturore në qendrat turistike si Budva nuk trajtohet gjithmonë në mënyrë adekuate dhe se disa aspekte të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë kulturore nuk i kushtohet vëmendja e mjaftueshme.

Ky takim rajonal është një aktivitet i projektit “Premtimi i të Rinjvë për Paqe”, i cili zbatohet nga Aleanca Qytetare përmes skemës së granteve RYCOgnizing YPS, me mbështetjen e bashkëpunimit të Gjermanisë dhe implementimin nga ana e RYCO-s.





