Dr Maja Kostiq-Mandiq është profesoreshë e rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Malit të Zi. Ajo ka lindur në vitin 1969 në Podgoricë. Është diplomuar në qershor të vitit 1991 në Fakultetin Juridik në Podgoricë (ishte fituese e çmimit studentor “19 dhjetor” në vitin 1988 dhe çmimit të Universitetit të Malit të Zi si studente e gjeneratës së Fakultetit Juridik të viteve 1990/91). Ka magjistruar në vitin 1995 dhe doktoruar në vitin 2001 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit në fushën e së drejtës ndërkombëtare private. Në Fakultetin Juridik në Podgoricë është përzgjedhur për të gjitha pozitat: asistente në vitin 1998, asistente në vitin 2002, profesoreshë asociuese në vitin 2007 dhe profesoreshë e rregullt në vitin 2012.
Ajo ka realizuar trajnime të rëndësishe afatgjata në Institutin Zviceran për të Drejtën Krahasuese në Lozanë, University College London – UCL, Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest, Institutin Max Planck për të Drejtën Krahasuese dhe Ndërkombëtare Private në Hamburg (si studiuese e institucioneve dhe qeverisë britanike) dhe në Universitetin Ndërkombëtar Osaka në Japoni. Ajo ka pasur qëndrime studimore në Universitetin Georgetown në Uashington, Universitetin Stanford në Kaliforni dhe Universitetin Columbia në Nju Jork.
Fushat kryesore të punës së saj shkencore janë e drejta ndërkombëtare private, ligji për mbrojtjen e mjedisit dhe arbitrazhi tregtar ndërkombëtar. Ajo gjithashtu ka qënë mësimdhënëse në Fakultetin e Filologjisë dhe Departamentin e Biologjisë, si dhe në Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Malit të Zi.
Ajo është autore e një numri të madh punimesh shkencore të botuara në revista ndërkombëtare dhe punime të konferencave ndërkombëtare në Zvicër, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Rusi, Serbi, Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Ajo gjithashtu ka punuar në një sërë projektesh ndërkombëtare (COWI, REC dhe Human European Consultancy për nevojat e Komisionit Evropian, OSBE, GIZ, SNV, USAID), si dhe ka qënë e angazhuar në hartimin e Ligjit të ri për të drejtën ndërkombëtare private të Malit të Zi.
Në një mandat ka qenë deputete në Kuvendin e Malit të Zi (2006–2009) dhe anëtare e tri komiteteve të Kuvendit. Gjindet në krye të Komitetit Kombëtar të Akademisë Ndërkombëtare për të drejtën krahasuese, si dhe në listën e arbitërve për arbitrazhin tregtar ndërkombëtar pranë dhomave të tregtisë të Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë. Ajo është anëtare e Komitetit për shkencat juridike dhe politike në akademinë e shkencave dhe arteve të Malit të Zi (CANU). Është nënkryetare e Shoqatës së Juristëve të Malit të Zi.
Ka marrë çmimin e Universitetit të Malit të Zi për kontributin në punën shkencore dhe kërkimore për vitin 2020 në Fakultetin e Drejtësisë në Podgoricë. Ajo është autore ose bashkautore e disa monografive, teksteve shkollore dhe udhëzuesve të botuar në vend dhe jashtë vendit.