Për eliminimin e kulturës së keqtrajtimit në Mal të Zi, është e nevojshme një sinergji e institucioneve kyçe që merren me këtë problem, ky ishte përfundimi i konferencës rajonale “Si të krijohet një kulturë policore që eliminon torturën”, e cila u organizua sot në Podgoricë nga Aleanca Qytetare.
Zoran Brgjanin, drejtor i Drejtorisë së Policisë, theksoi përgjegjësinë e përbashkët të institucioneve në luftën kundër torturës, duke theksuar rëndësinë që udhëheqësi të jetë ai që ka një qëndrim të qartë kundër çdo forme të keqtrajtimit.
“Hapat kyç për eliminimin e torturës përfshijnë forcimin e kuadrit ligjor dhe përgjegjësisë, krijimin e mekanizmave për raportimin dhe hetimin e keqtrajtimit, edukimin dhe trajnimin e punonjësve policorë, mbështetjen psikologjike, mbështetjen dhe mbikëqyrjen teknologjike, ndërgjegjësimin publik dhe presionin qytetar përmes përmirësimit të praktikës gjyqësore dhe prokuroriale”, tha Brgjanin.
I pyetur për të komentuar veprimin e policisë gjatë ceremonisë së shugurimit të mitropolitit Joanikije në Cetinjë – nga e cila kanë kaluar saktësisht tre vjet – Brgjanin kërkoi falje për të gjithë ata që ndjenë pasojat e përdorimit të mjeteve të forcës, duke theksuar se kishte një numër të konsiderueshëm personash që nuk e meritonin këtë.
“Pa relativizuar lëndimet e askujt, mund të them se shkalla e përdorimit të mjeteve të forces ka qënë proporcionale me pasojat që kanë ndodhur. Si rezultat i atij aksioni, askush nuk humbi jetën, nuk pati lëndime të rënda trupore dhe as persona të shtruar në spital”, tha ai.
Danka Gjeriq Ivanoviq, prokurore në Prokurorinë e Lartë të Shtetit, iu referua problemit të solidaritetit policor, i cili, sipas saj, zvogëlon efikasitetin e bashkëpunimit me Drejtorinë e Policisë dhe Gjykatën Themelore.
“Prokuroria nuk merr të dhëna mjaft cilësore që do të ndihmonin identifikimin e punonjësve të policisë që kryejnë tortura. Na nevojitet një bashkëpunim më i mirë me personelin mjekësor dhe shëndetësor, pasi kemi pasur raste me lëndime të përshkruera sipërfaqësisht, gjë që më vonë krijon problem gjatë procesit të provës”, tha Gjeriq Ivanoviq.
Zheljka Jovoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Podgoricë, deklaroi se aktualisht po zhvillohen shtatë procese gjyqësore kundër 16 punonjësve të policisë për vepra penale që bien në kategorinë e torturës. Si një problem të madh, ajo theksoi mungesën kronike të gjykatësve, gjë që pengon zhvillimin e proceseve efikase dhe drejtësinë e shpejtë.
Në panelin e dytë të titulluar “Kush të dhemb më shumë, rrahja apo padrejtësia?”, Millorad Mijo Martinoviq, i cili përjetoi tortura brutale policore në vitin 2015, iu referua detajeve të asaj ngjarjeje, duke mos akuzuar autorët e drejtpërdrejtë të sulmit, por ekskluzivisht duke kërkuar që të përcaktohet përgjegjësia komanduese, gjegjësisht emri dhe mbiemri i atij që dha këtë urdhër.
“Atë natë hidhërimi ma mposhti dhimbjen. Nuk e dija se në aktivitetet e mia qytetare, njerëzore, morale dhe sportive kam shkelur një minë që përfaqëson vjedhjen e burimeve shtetërore dhe këtë e mora vesh disa muaj më pare”, tha Martinoviq.
Ai theksoi se beson se grupi i ri i autoriteteve do të ndryshojë realisht kulturën e sjelljes së policisë dhe se do të jetë simbol i mbrojtjes dhe lirisë së qytetarëve.
Drejtori i programit të Aleancës Qytetare, Millan Radoviq, prezantoi në këtë aktivitet rekomandimet kryesore të raportit për sistemin gjyqësor të përgatitur nga Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve nga Brukseli, të cilat përfshijnë përjashtimin e Ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor, rishikimin e përkufizimit të “jurist i shquar”, respektimin e numrit të mandateve për kryetarët e gjykatave, si dhe domosdoshmërinë e pavarsisë financiare të gjyqtarëve.
Vlladica Ilić nga Qendra për të Drejtat e Njeriut e Beogradit, duke paraqitur raportin “Monitorimi i gjykimeve për krime torturë dhe shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut”, theksoi se hetimet për rastet e torturës duhet të kryhen me një shpejtësi të arsyeshme. Ai kujtoi se nisja e vonuar e shqyrtimeve ka çuar në faktin se viktimat e torturës në çështjet e njohura si “Boljeviq” dhe “Mugosha” janë dëgjuar vetëm tri vjet pas ngjarjes kritike.
Konferenca rajonale “Si të krijojmë një kulturë policore që eliminon torturën” u realizua në kuadër të projektit “Kundra mosndëshkimit për shkeljen e të drejtave të njeriut në Mal të Zi” me mbështetje financiare nga Komisioni Evropian dhe kofinancim nga Ministria e Administratës Publike.