Dita ndërkombëtare e luftës kundër brutalitetit policor edhe këtë vit tërheq vëmendjen ndaj rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe nevojës së mënjehershmë për përgjegjshmërinë e institucioneve që të veprojnë në mënyrë efektive për të parandaluar dhe ndëshkuar abuzimet, në vend që t’i tolerojnë ato heshtazi.
Megjithatë, pavarësisht këtij detyrimi, Mali i Zi vazhdon të mos ketë një përgjigje institucionale efektive ndaj torturës policore, duke mundësuar përsëritjen e këtyre rasteve. Po ashtu, mosdënimi i këtyre veprimeve minon besimin e qytetarëve tek institucionet e sistemit dhe kërcënon themelet e shtetit të së drejtës.
Edhe pse është e njohur nevoja për një koordinim më të mirë mes policisë, prokurorisë dhe sistemit gjyqësor, praktika tregon se ky bashkëpunim shpesh mungon ose është joefektiv. Si rezultat, rastet e abuzimeve policore shpesh nuk kalojnë më tej se deri tek masat disiplinore, ndërsa procedurat gjyqësore, edhe kur fillojnë, zgjasin me vite pa rezultate konkrete.
Në veçanti shqetësues është fakti se institucionet reagojnë në mënyrë selektive – ndërkohë që qytetarët ndiqen dhe ndëshkohen shpejt, përgjegjësia e punonjësve të policisë rrallëherë përcaktohet qartë. Kështu, sistemi, duke mos ndëshkuar abuzimet nga ata që duhet të mbrojnë qytetarët, dërgon mesazhin se dhuna brenda strukturave policore është e pranueshme dhe e pa ndëshkueshme.
Përveç mungesës së sanksioneve, shqetësuese është edhe mënyra se si përgjegjësia profesionale në strukturat e sigurisë vazhdon të injorohet. Ende jemi dëshmitarë se punonjësit e policisë të dënuar për abuzim jo vetëm që nuk i vuajnë pasojat, por edhe përparojnë në shërbim dhe emërohen në pozita të larta. Kjo praktikë forcon më tej kulturën e mosndëshkimit dhe dërgon mesazhin se as shkeljet më të rënda në shërbim nuk janë pengesë për avancim në karrierë.
Një tjetër problem kyç në luftën kundër torturës policore në Malin e Zi është kohëzgjataj e procedurave gjyqësore dhe mosefektiviteti i politikës penale. Edhe pse disa raste të abuzimit policor kanë arritur në gjykatë, proceset gjyqësore zgjasin me vite, duke rraskapitur viktimat dhe duke e bërë të padobishëm realizimin e drejtësisë. Në këtë kontekst, javën e ardhshme priten vendime në çështjet që lidhen me akuza për dhunë policore gjatë hetimeve, që do të jetë një provë e rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe aftësinë e tij për t’u përgjigjur këtyre rasteve.
Megjithatë, pavarësisht sfidave të shumta në luftën kundër torturës policore, janë ndërmarrë disa hapa për përmirësimin e përgjigjesisë institucionale.
Gjatë vitit 2024, Prokurori i lartë shtetit ka dorëzuar udhëzime detyruese në të gjitha prokuroritë lidhur me trajtimet e rasteve të tortures. Këto udhëzime, ndër të tjera, kërkojnë regjistrimin e marrjes në pyetje të të dyshuarve dhe detyrimin e mjekëve për të dokumentuar dhe fotografuar lëndimet, duke forcuar transparencën dhe efikasitetin e hetimeve. Këto masa paraqesin një hap përpara në procesin e ndjekjes penale të rasteve të torturës, por efikasiteti i tyre i vërtetë varet nga aplikimi i qëndrueshëm dhe vendosmëria e institucioneve për t’i zbatuar ato pa përjashtime.
Një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes së viktimave të torturës u bë në fund të vitit të kaluar me ndryshimet në Ligjin për ndihmën juridike falas, duke mundësuar që viktimat e torturës të kenë më në fund të drejtën për mbështetje ligjore falas. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, gjatë periudhës kur kjo e drejtë nuk ishte e disponueshme për viktimat, punonjësit e policisë, sipas Ligjit për punët e brendshme, kishin të siguruar ndihmë ligjore falas në procedurat që lidhen me përdorimin e mjeteve shtrënguese. Me këto ndryshime, më në fund u krijua një ekuilibër dhe iu mundësua viktimave të torturës të marrin mbështetje të barabartë në proceset ligjore.
Çështja e mbrojtjes nga tortura dhe procesimi i efektshëm i abuzimeve policore është gjithashtu gjë e rëndësishme për integrimin evropian të Malit të Zi, pasi BE vazhdon të tërheqë vëmendjen për problemin e pa ndëshkueshmërisë në strukturat e sigurisë.
Në këtë kontekst, vizita e paralajmëruar e Komitetit të Këshillit të Evropës për parandalimin e torturës (CPT) në vitin 2025 paraqet një mundësi të rëndësishme për vlerësimin e përparimit dhe një shtysë shtesë për reformat.
Lufta kundër torturës policore duhet të shndërrohet në masa konkrete që do të sigurojnë përgjegjshmërinë e institucioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve. Autoritetet e përshtatshme duhet të tregojnë vendosmëri në zbatuarjen e ligjit, ndjekjen penale të përgjegjësve dhe ndalimin përfundimtar të kulturës së pa ndëshkueshmërisë.
Milan Radoviq,
drejtor i programit të Aleancës qytetare