Pothuajse gjysma e të rinjve në Mal të Zi (49%) mendojnë se institucionet nuk e marrin seriozisht mendimin e tyre, ndërsa si pengesa kryesore për një pjesëmarrje kuptimplotë përmendin mungesën e njohurive dhe mbështetjes (29,9%), mungesën e informacionit (25,3%), qasjen e kufizuar në pjesëmarrje për disa grupe (24,3%) dhe proceset jotransparente (13,5%).
Këto janë disa nga gjetjet kryesore të hulumtimit të paraqitura në policy paper-in e Aleancës Qytetare “Forcimi i pjesëmarrjes kuptimplotë të të rinjve në proceset e vendimmarrjes”, të cilat tregojnë ekzistencën e barrierave sistemike, institucionale dhe individuale që e vështirësojnë përfshirjen më aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes.
Madje 68,4% e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë qenë fare ose nuk kanë qenë mjaftueshëm të përfshirë në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal dhe kombëtar, ndërsa vetëm 31,6% kanë një perceptim pozitiv për pjesëmarrjen e tyre. Këto të dhëna tregojnë një ndjenjë të theksuar përjashtimi dhe mungesë të mundësive reale për pjesëmarrje.
Të rinjtë gjithashtu theksojnë se edhe kur përfshihen në debate publike, konsultime apo grupe pune, shpesh nuk marrin kthim informacioni për mënyrën se si janë marrë parasysh propozimet e tyre. Pjesëmarrja është gjithashtu e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, duke qenë kryesisht e përqendruar në zonat më të mëdha urbane dhe te të rinjtë që tashmë janë të lidhur me organizatat e shoqërisë civile ose institucionet.
Veçanërisht në pozitë të pafavorshme janë të rinjtë nga zonat rurale, nga mjediset socio-ekonomikisht të cenueshme, komunitetet pakicë dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, të cilët përballen me pengesa shtesë nga mungesa e informacionit deri te kufizimet logjistike dhe financiare.
Edhe pse numri më i madh i të anketuarve (34,2%) kanë deklaruar se kanë marrë pjesë në punëtori ose forume për të rinjtë, shqetësues mbetet fakti se pothuajse një e treta (31,3%) nuk kanë pasur kurrë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të tilla, gjë që tregon më tej për përfshirje dhe qasje të pamjaftueshme në masa dhe mekanizma.
Pjesëmarrja në format më formale të participimit është dukshëm më e rrallë. Vetëm 10,2% e të rinjve kanë marrë pjesë në debate publike, 7,9% në protesta qytetare, ndërsa konsultimet me institucionet dhe angazhimi në këshillat e të rinjve apo në trupat rinorë janë edhe më pak të përfaqësuara.
Gjetjet e hulumtimit tregojnë se në Mal të Zi ende ekziston një hendek i konsiderueshëm midis mekanizmave formalisht të vendosur për pjesëmarrjen e të rinjve dhe ndikimit të tyre real në politikat publike. Një problem shtesë përbën mungesa e mekanizmave të standardizuar për monitorimin e ndikimit të të rinjve, si dhe mungesa e indikatorëve të përcaktuar qartë për matjen e suksesit të pjesëmarrjes.




