Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Përmirësimi i pjesëmarrjes së të rinjve është çelësi për një shoqëri më të qëndrueshme dhe më të sigurt

Rikthimi i besimit të të rinjve në proceset demokratike duhet të fillojë në nivel lokal, përmes përfshirjes së tyre reale dhe kuptimplote në vendimmarrje, në mënyrë që të jetë e mundur ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë dhe më të qëndrueshme, është përfundimi i Forumit “Premtimi i të rinjve për paqe”, të cilin sot Aleanca Qytetare e organizoi në Podgoricë.

Forumin e hapi Aleksa Beçiq, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, pas së cilit në pjesën hyrëse të pranishmëve iu drejtuan edhe Sh.T. Peter Felten, ambasador i Gjermanisë në Mal të Zi, Nađa Ljiljaniq, zëvendëskryetare e Kryeqytetit Podgoricë, Edin Koljenoviq, shef i Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor në Mal të Zi, dhe Danijela Darmanoviq, koordinatore e komunikimit në Aleancën Qytetare.

Pas fjalimeve hyrëse, u prezantua hulumtimi i Aleancës Qytetare me titull “Forcimi i pjesëmarrjes kuptimplote të të rinjve në proceset e vendimmarrjes në Mal të Zi”. Hulumtimi evidenton një sërë sfidash – madje 49% e të rinjve mendojnë se institucionet nuk e marrin seriozisht mendimin e tyre, 29,9% theksojnë se nuk kanë njohuri ose mbështetje të mjaftueshme, 25,3% se nuk kanë informacion të mjaftueshëm, ndërsa 24,3% besojnë se pjesëmarrja është e disponueshme vetëm për grupe të caktuara. Po ashtu, 13,5% e të rinjve i shohin proceset si jotransparente, ndërsa 29,6% mendojnë se nuk janë të përfshirë në mënyrë të barabartë në vendimmarrje.

Në panelin “Të rinjtë si forcë për fuqizimin e demokracisë?” morën pjesë Nikola Zirojeviq dhe Bojana Piqan, deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, Vladimir Peraziq, sekretar i përgjithshëm i Rrjetit për të Rinj, Kristina Zhugiq, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, si dhe Anja Keçaloviq nga Ministria e Sportit dhe të Rinjve.

Bojana Piqan theksoi se shembujt e të rinjve që nxisin ndryshime ekzistojnë në të gjitha nivelet dhe në opsione të ndryshme politike, por se ata ende përballen me një sistem në të cilin vlerat shpesh relativizohen. Ajo nënvizoi se të rinjtë gjithnjë e më shumë po thyejnë barriera dhe përpiqen të kontribuojnë në shoqëri përmes iniciativave konkrete, duke theksuar veçanërisht si sinjal pozitiv faktin që rreth disa çështjeve me rëndësi për të rinjtë po zbehen dallimet politike dhe po ndërtohet bashkëpunim ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Si ilustrim, ajo përmendi iniciativën për bileta ajrore me çmime të reduktuara për studentët, si dhe propozimin për formimin e një Komisioni parlamentar për të rinjtë, i cili do të mundësonte trajtimin sistematik të çështjeve të të rinjve.

Si shembull nga praktika parlamentare ku qëndrimet e të rinjve janë marrë realisht në konsideratë dhe janë përfshirë në ndryshime ligjore, amendamente apo vendime, ajo përmendi Ligjin për Arsimin e Lartë, si dhe iniciativa që lidhen me përmirësimin e pozitës ekonomike të të rinjve, siç janë llogaritë transaksionale falas. Ajo theksoi veçanërisht nevojën për autonomi më të madhe financiare dhe operative të të rinjve brenda partive politike.

Piqan theksoi se ndryshimet duhet të nisin nga niveli lokal, ku strategjitë shpesh miratohen pa pjesëmarrjen reale të të rinjve. Ajo vuri në dukje mangësitë e diskutimeve publike ekzistuese dhe nevojën për komunikim më të drejtpërdrejtë, duke theksuar se është thelbësore të zhvillohet një sistem që në mënyrë thelbësore, e jo vetëm deklarative, u përgjigjet nevojave të të rinjve.

Nikola Zirojeviq theksoi sfidat me të cilat përballen të rinjtë në hapësirën politike, duke vënë në dukje se reagimet negative dhe presionet, si sulmet publike ndaj të rinjve që shprehin lirshëm qëndrimet e tyre, i dekurajojnë ata të marrin pjesë. Siç theksoi ai, një atmosferë e tillë nuk nxit dialog të hapur, por ndikon që të rinjtë të jenë më të kujdesshëm dhe më pak të gatshëm për t’u përfshirë në mënyrë aktive në proceset shoqërore dhe politike.

Duke folur për ndryshimet politike të vitit 2020, Zirojeviq tha se, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme politike mbi ato ngjarje, një nga përparimet e rëndësishme ishte rinovimi i parlamentit me kuadro më të rinj.

Në shembullin personal, ai theksoi se pikërisht ai moment hapi hapësirë për gjeneratat e reja, duke shtuar se mbetet pyetje nëse ai vetë do të kishte marrë mundësinë të bëhej deputet në ato rrethana, kur hapësirat politike ishin më të mbyllura dhe hapeshin më ngadalë për kuadrot e rinj. Siç theksoi ai, prania më e madhe e të rinjve kontribuoi edhe në rritjen e dukshmërisë së temave që lidhen me gjeneratën e tyre.

Zirojeviq theksoi se nuk beson në zgjidhje të shpejta, por se është e domosdoshme të nisin ndryshme thelbësore në mënyrë që sistemi të merret më seriozisht me të rinjtë.

Ai i inkurajoi të rinjtë të jenë aktivë në shoqëri, jo vetëm përmes politikës, por edhe përmes sektorit civil, duke theksuar se një angazhim i tillë kontribuon në zhvillimin personal dhe në fitimin e përvojës.

Anja Keçaloviq vuri në dukje mangësitë në komunikimin ndërmjet institucioneve dhe të rinjve, duke theksuar se shpesh mungon një mënyrë e përshtatshme dhe e afërt për të rinjtë në komunikim, për shkak të së cilës ata nuk i shohin institucionet si aleatë. Ajo theksoi se është e rëndësishme të punohet në ndërtimin e besimit të ndërsjellë, në mënyrë që komunikimi të jetë i dyanshëm dhe më efikas.

Duke folur për përmirësimet institucionale, Keçaloviq njoftoi se korniza e re ligjore do të mundësojë komunikim më të drejtpërdrejtë të të rinjve me vendimmarrësit, përfshirë edhe ministrat, dhe theksoi se është thelbësore që të rinjtë të shihen si pjesë e barabartë e procesit, e jo si bashkëpunëtorë të jashtëm. Ajo veçoi sidomos nevojën për “pjesëmarrje kuptimplotë” të të rinjve, që nënkupton jo vetëm përfaqësim formal, por edhe ndikim real në marrjen e vendimeve.

 

Ajo vuri në dukje edhe sfidat në punën me të rinjtë në nivelin lokal, veçanërisht me ata që nuk janë në sistemin e arsimit, punës apo trajnimeve, tek të cilët është më e vështira të arrihet. Në këtë kontekst, theksoi rëndësinë e punës në terren dhe rritjen e dukshmërisë së institucioneve. Ajo shtoi se ligji i ri do ta përmirësojë më tej këtë segment përmes ndarjes së mjeteve më të mëdha dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

 

Vladimir Peraziq theksoi rëndësinë e punës së Rrjetit për të Rinjtë, si një organizatë ombrellë që mbledh më shumë se dyzet organizata rinore dhe u ofron atyre mbështetje institucionale në zbatimin e iniciativave dhe politikave rinore. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e miratimit të Ligjit të ri për të Rinjtë, i cili duhet të vendosë në mënyrë më cilësore një korrnizë për pjesëmarrjen e të rinjve në proceset e vendimmarrjes.

Në këtë kontekst, ai u ndal edhe te numri i madh i të rinjve që janë të margjinalizuar dhe tek cilët është e domosdoshme të arrihet, duke theksuar se ky komunikim duhet të fillojë në nivelin lokal, përmes forcimit dhe funksionalizimit të plotë të shërbimeve rinore. Ai theksoi se këto shërbime tashme ekzistojnë – trembëdhjetë në nivel shtetëror – por se është e nevojshme të punohet më tej për përmirësimin e tyre, para së gjithash përmes forcimit të kapaciteteve të administratorëve që veprojnë çdo ditë në to, gjë që gjithashtu do të njihet dhe rregullohet më tej me Ligjin e ri për të Rinjtë.

Duke folur për mundësitë e ardhshme, Peraziq rikujtoi faktin se Podgorica në vitin 2028 do të jetë Kryeqyteti Evropian i të Rinjve. Si shembull pozitiv të pjesëmarrjes së të rinjve, ai veçoi edhe strukturën e Bordit Drejtues për organizimin e këtij procesi, i cili numëron 41 anëtarë, prej të cilëve dy të tretat janë të rinj, duke u siguruar atyre një ndikim të fuqishëm dhe një mundësi reale për të formësuar dhe drejtuar iniciativat kryesore.

 

Kristina Zhugiq vlerësoi se të rinjtë aktualisht nuk janë mjaftueshëm të vlerësuar, duke theksuar se në kontekstin e integrimeve evropiane po flitet gjithnjë e më shumë për pjesëmarrjen e tyre në proceset e vendimmarrjes, por se mbetet e hapur pyetja nëse ky fokus ndaj të rinjve do të rezultojë me ndryshime konkrete dhe të qëndrueshme apo bëhet fjalë për popullizëm politik, gjë që do të dëshmohet me kalimin e kohës.

Ajo gjithashtu ngriti dilemën nëse të rinjve u hapet vërtet hapësirë për të zhvilluar interesim për proceset shoqërore dhe politike, duke theksuar se jetojmë në një shoqëri thellësisht patriarkale në të cilën të rinjtë kanë shumë pak mundësi të mësojnë për demokracinë para se të fitojnë të drejtën e votës. Duke iu referuar gjetjeve të kërkimeve ndërkombëtare si testimet PISA, ajo tha se niveli i njohurive funksionale dhe kompetencave të të rinjve, si dhe pjesëmarrja e tyre, nuk është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2006, dhe se për këtë arsye mosinteresimi i tyre duhet të shihet në një kontekst më të gjerë shoqëror.

Zhugiq theksoi se është e nevojshme të rikthehet besimi i të rinjve në proceset demokratike, sepse ata shpesh nuk dëshirojnë të marrin pjesë në modelin e demokracisë siç ekziston sot. Ajo ngriti gjithashtu dilemën nëse të rinjtë në partitë politike vërtet përfaqësojnë interesat e bashkëmoshatarëve të tyre apo agjendat partiake. Megjithatë, ajo shprehu besim në potencialin e të rinjve për të sjellë ndryshime, duke theksuar se ata më shpesh nxiten nga individë të fortë.

Forumi është pjesë e projektit “Premtimi i të rinjve për paqe”, i cili zbatohet nga Aleanca Qytetare me mbështetjen e programit “RYCOgnizing YPS”, që implementohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim.

 

Galeri

Shpërndajeni në rrjetet sociale

Lajmet e fundit

GA 16x9 bez teksta
Pothuajse gjysma e të rinjve mendojnë se institucionet nuk i dëgjojnë, pjesëmarrje pa ndikim të vërtetë
Përmirësimi i pjesëmarrjes së të rinjve është çelësi për një shoqëri më të qëndrueshme dhe më të sigurt
viber_slika_romi
Romët ende jetojnë në margjinat e shoqërisë dhe pa qasje thelbësore në të drejtat e tyre
BijeloPoljepreskonf1
(Mos)besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit dhe perceptimi i punës së drejtësisë
trening sa fudbalerima 03.26
Përmes sportit drejt mirëkuptimit dhe përfshirjes më të madhe shoqërore të të rinjve nga komuniteti RE

Kërko