Besimi i qytetarëve dhe qytetareve në drejtësi nuk mund të rikthehet brenda natës, por duhet të ndërtohet ekskluzivisht përmes rezultateve konkrete të institucioneve të drejtësisë, pavarësisë së tyre, efikasitetit dhe rezistencës ndaj ndikimeve politike, u përfundua në konferencën “Ku ndodhet sot drejtësia malazeze pas 20 vitesh nga rivendosja e pavarësisë”, të cilën Aleanca Qytetare e organizoi sot në Podgoricë.
Në pjesën hyrëse të konferencës u prezantuan rezultatet e hulumtimit “Qëndrimet e qytetarëve dhe qytetareve ndaj drejtësisë në Mal të Zi”, të cilin e prezantoi prof. dr. Miloš Beshiq. Në panelin që pasoi pas prezantimit të hulumtimit morën pjesë Valentina Pavliçiq, kryetare e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Danka Zhvkoviq, prokurore shtetërore në Prokurorinë Supreme të Shtetit, dhe Vanja Radeviq nga Qendra për Këshilla mbi të Drejtat Individuale në Evropë (AIRE Centre).
Milosh Beshiq prezantoi hulumtimin, gjetjet kryesore të të cilit tregojnë se besimi i qytetarëve në drejtësi mbetet relativisht i ulët, se qytetarët i identifikojnë korrupsionin dhe ndikimin politik si problemet kryesore në drejtësi, si dhe se drejtësia malazeze nuk ka kapacitete të mjaftueshme për luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se që nga fitimi i pavarësisë është shënuar përparim në sistemin e drejtësisë.

Duke folur për rezultatet e hulumtimit, Bešić kujtoi se Mali i Zi tradicionalisht ka një nivel të ulët të besimit institucional dhe ndërpersonal.
Duke folur për perceptimin e ndikimit politik dhe korrupsionit në drejtësi, Beshiq vlerësoi se bëhet fjalë për një narrativë që përfaqëson një trashëgimi të fortë të së kaluarës dhe që institucionet do të duhet ta ndryshojnë për vite me radhë, përmes rezultateve të qëndrueshme dhe mekanizmave të përgjegjësisë së brendshme.
“‘Më e rëndësishmja është që vetë institucionet të tregojnë aftësi për vetërregullim – që drejtësia vetë t’i njohë dhe t’i procedojë parregullsitë brenda sistemit, sepse pikërisht në këtë mënyrë ndërtohet integriteti i institucioneve”, porositi Beshiq.
Valentina Pavliçiq, duke iu referuar rezultateve të hulumtimit të Aleancës Qytetare, vlerësoi se perceptimi i qytetarëve jo gjithmonë duhet të përputhet me gjendjen reale në drejtësi.
“Ne në drejtësi nuk do të ndjekim perceptimin, por gjendjen reale dhe rezultatet konkrete që drejtësia duhet t’i tregojë dhe t’i vërtetojë edhe në praktikë”, porositi Pavliçiq.

Ajo theksoi se drejtësia nuk mund të ndryshohet brenda natës dhe se bëhet fjalë për një proces afatgjatë të transformimit të institucioneve dhe rikthimit të besimit të qytetarëve.
Duke folur për perceptimin e ndikimit politik dhe korrupsionit, Pavliçiq deklaroi se vendimet gjyqësore shpesh interpretohen përmes ambientit politik dhe ndarjeve shoqërore, megjithëse, siç theksoi ajo, vendimet gjyqësore duhet të shqyrtohen ekskluzivisht përmes fakteve, provave dhe ligjit.
Pavliçiq paralajmëroi edhe për problemin e mungesës së interesimit të juristëve të respektuar për funksionet në drejtësi, duke theksuar se sot nuk ka mjaftueshëm kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, si dhe për funksionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që e vështirëson më tej reformën e sistemit.
Ajo kujtoi se Mali i Zi është ndër shtetet e para të rajonit që ka sjellë aktgjykime të formës së prerë në rastet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, si dhe se disa procedura të ndërlikuara penale janë përfunduar brenda afateve të shkurtra.
Danka Zhivkoviq vlerësoi se rezultatet e hulumtimit duhet të shihen edhe në kontekstin e faktit se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nuk kanë pervojë të drejtpërdrejtë me punën e gjyqësorit, por e krijojnë perceptimin përmes informacioneve nga hapësira publike dhe narrative mediatike.
Ajo theksoi se institucionet gjyqësore duhet të punojnë shumë më tepër në komunikimin me qytetarët dhe në prezantimin e rezultateve të punës së tyre.

Duke folur për punën e prokurorisë, ajo sqaroi se numri i shtuar i rasteve paraqet pasojë të ndryshimeve në legjislacionin penal, por edhe të një qasjeje më proaktive të prokurorisë në fusha të caktuara, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunën në familje dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Zhivkoviq deklaroi se fokusi shpesh vendoset vetëm te rastet negative, ndërsa një numër i konsiderueshëm i rasteve të rëndësishme dhe rezultateve të punës së gjyqësorit mbeten jashtë vëmendjes së publikut.
“Një rast negativ shpesh i zhbën dhjetëra rezultate të mira dhe e kthen perceptimin ndaj institucioneve disa hapa prapa”, paralajmëroi Zhivkoviq.
Vanja Radeviq vlerësoi se perceptimi i qytetarëve për drejtësinë nuk duhet të neglizhohet dhe së pikërisht ai tregon në cilat fusha është e nevojshme të orientohen përpjekjet reformuese.

Radeviq theksoi se transparenca është një nga mekanizmat kyç për mbrojtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë, duke shtuar se një drejtësi më e hapur dhe më komunikuese kontribuon në rritjen e besimit të qytetarëve, por edhe në forcimin e qëndrueshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj presioneve politike dhe të tjera.
“Drejtësia e hapur është drejtësi e fortë. Transparenca nuk i mbron vetëm qytetarët, por edhe vetë gjyqtarët dhe institucionet”, tha Radeviq.
Duke folur për reformat e mëtejshme, ajo theksoi edhe rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, përmirësimit të metodologjive të punës dhe rritjes së qasjes në vendimet gjyqësore, duke vlerësuar se këto janë hapa të rëndësishëm drejt një sistemi gjyqësor më efikas dhe më transparent.




