Aleanca Qytetare i ka drejtuar sot në mëngjes Ministrisë së drejtësisë një Iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndihmën juridike falas, me të cilën kërkohet që viktimat civile të luftës të fitojnë të drejtën për mbrojtje juridike falas.
Me këtë iniciativëë është propozuar që në nenin 13, paragrafi 1 i Ligjit për ndihmën juridike falas, pas pikës 5, të shtohet një pikë e re: „6) viktimat civile të luftës“, e cila do të korrigjonte ndjeshëm padrejtësitë disa dekadëshe dhe do të mundësonte qasje të barabartë në drejtësi për ata që janë lënë të kujedesen për veten prej vitesh, pa mbështetjen e duhur institucionale.
Ne konsiderojmë se ky ndryshim është i domosdoshëm, pasi për më shumë se tre dekada viktimat civile të luftës në Mal të Zi nuk kanë pasur trajtim të duhur ligjor dhe as mbështetje institucionale.
Vetëm së fundmi, me miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e veteranëve dhe invalidëve të luftës, statusi i tyre është rregulluar përfundimisht në aspektin ligjor, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt njohjes juridike dhe institucionale të të drejtave të tyre. Ky ligj i njeh si viktima civile të luftës të gjithë shtetasit e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë që, pas 17 gushtit 1990, janë zhdukur me forcë ose janë vrarë gjatë konflikteve të armatosura. Me kushtin që të ata të kenë shtetësi malazeze, anëtarët e familjeve të viktimave më në fund do të mund të përfitojnë të drejtën për mbrojtje sociale në Mal të Zi.
Megjithatë, edhe pse këto ndryshime ligjore përbëjnë një hap të rëndësishëm në njohjen e statusit të viktimave civile të luftës, qasja e tyre në drejtësi mbetet ende e kufizuar nga një sërë pengesash administrative dhe financiare. Pa qasje në ndihmë juridike falas, shumë viktima mbeten pa mbrojtje dhe pa mekanizma për të realizuar të drejtat e tyre.
Duke pasur parasysh se ministri i mirëqenies sociale, kujdesit për familjen dhe demografisë, Damir Gutiq, ka njoftuar se kompensimi për viktimat civile të luftës do të realizohet me Vendim të Qeverisë, është e qartë se shteti e pranon nevojën për të korrigjuar një padrejtësi të gjatë disa dekadash. Megjithatë, pa ndihmë juridike falas, shumë viktima nuk do të mund të përfitojnë atë që u takon me ligj.
Prandaj, është e domosdoshme që përmes ndryshimeve në Ligjin për ndihmën juridike falas të sigurohet e drejta e viktimave civile të luftës për mbrojtje juridike falas, në mënyrë që shteti t’u ofrojë mekanizma konkretë për realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe reparacioneve.
Kjo iniciativë është e rëndësishme jo vetëm për arsye morale dhe juridike, por edhe në kontekstin e integrimit evropian të Malit të Zi. Zgjidhja e statusit të viktimave civile të luftës është pjesë e kritereve përfundimtare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe pritet që Mali i Zi ta mbyllë këtë çështje brenda dy viteve të ardhshme për të finalizuar negociatat e anëtarësimit. Komisioni Evropian ka theksuar vazhdimisht nevojën për të siguruar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe për një përgjigje institucionale efektive, çka e bën këtë nismë edhe më urgjente.
Prandaj, i bëjmë thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Malit të Zi që urgjentisht të shqyrtojnë këtë Iniciativë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të garantuar qasje të barabartë në drejtësi për viktimat civile të luftës. Gjithashtu, kërkojmë sigurimin e ndihmës juridike falas si një mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Të gjithë tekstin e Iniciativës mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:
Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për ndihmën juridike falas.