Pa ndryshime thelbësore në politikën e personelit dhe kuadrin ligjor, strukturat drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore do të mbeten të mbyllura për gratë dhe larg standardeve evropiane.
Nga dhjetë ndërmarrjet më të mëdha shtetërore në Mal të Zi, pesë prej tyre nuk kanë asnjë grua në bordin drejtues, ndërsa vetëm dy ndërmarrje përmbushin objektivin e përcaktuar nga Direktiva (BE) 2022/2381, që të paktën 40% e anëtarëve të bordit të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Fakti që gratë pothuajse nuk janë të pranishme në bordet drejtues të ndërmarrjeve shtetërore tregon qartë se ato kanë vetëm dukshmëri formale, por jo edhe fuqi reale për të marrë vendime.
Këto të dhëna janë gjetja kyçe e analizës “Fuqia vendimmarrëse pa ekuilibër: Ku janë gratë në bordet drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore”, e cila nxjerr në pah një çekuilibër të thellë në shpërndarjen e pushtetit dhe margjinalizimin sistemik të grave në strukturat vendimmarrëse. Edhe pse gratë plotësojnë kuotat në listat zgjedhore, në Mal të Zi ato dukshëm mbeten pa qasje në të ashtuquajturat “shpërblime partiake” – pozita prestigjioze në bordet drejtues.
Ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, Mali i Zi ende nuk ka një ligj që rregullon zgjedhjen, emërimin dhe përgjegjësinë e anëtarëve të bordeve të drejtorëve në ndërmarrjet shtetërore, gjë që lejon tregtinë partiake me pozicionet dhe bllokon vendosjen e standardeve meritokratike, duke përfshirë edhe barazinë gjinore.
Veçanërisht shqetësues është fakti që në bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve shtetërore – në Kompaninë e energjisë elektrike të Malit të Zi (EPCG), Minierën e qymyrit AD Pljevlja, Transportin hekurudhor të Malit të Zi (ŽPCG), Infrastrukturen hekurudhore të Malit të Zi (ŽICG) dhe në ndërmarrjen Luka Bar AD nuk ka asnjë grua.
E vetmja ndërmarrje që ka një grua në pozicionin e kryetares së bordit është Ndërmarrja publike për menaxhimin e pronës detare.
Ndërmarrja Montefarm ka dalë si shembull pozitiv, me tri gra në bordin e drejtorëve, që përbën 43% të përbërjes totale, duke përmbushur kuotën e përcaktuar nga Direktiva e BE-së 2022/2381, e cila parashikon që anëtarët e gjinisë më pak të përfaqësuar të përbëjnë të paktën 40% të numrit total të drejtorëve jovekzekutiv në bordin e drejtorëve, pra 40% të anëtarëve të bordit mbikëqyrës.
Përveç Montefarmit, kuotën e përcaktuar e përmbush edhe Monteput, ndërsa CEDIS, Pronat detare dhe Posta e Malit të Zi, edhe pse kanë nga një ose dy anëtare në bordin e drejtorëve, nuk arrijnë të përmbushin kuotën e nevojshme.
Përveç pabarazisë gjinore, analiza nxjerr në pah mungesën serioze të transparencës në ndërmarrjet shtetërore. Shumica e ndërmarrjeve nuk publikon biografitë profesionale të anëtarëve të bordeve të drejtorëve, kështu që qytetarët nuk mund të dinë bazuar në cilat kualifikime janë zgjedhur këta anëtarë. Përkundrazi, me dy-tre klikime është e lehtë të gjendet përkatësia e tyre partiake.
Në kontekstin e integrimeve evropiane, Mali i Zi pritet që deri në qershor të vitit 2026 të përmbushë standardet e Direktivës së BE-së 2022/2381. Kjo analizë tregon se pa një ndryshim urgjent në qasje dhe kuadrin normativ, ky qëllim mbetet i paarritshëm.
Analizën mund ta shkarkoni këtu.
Danijela Darmanoviq,
koordinatore e komunikimit, Aleanca qytetare