Aleanca Qytetare mirëpret miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Ndihmën Juridike Falas, përmes së cilave:
- ndihma ligjore falas sigurohet gjithashtu për përgatitjen e dokumenteve në procedurat administrative për realizimin e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve, mbrojtja shëndetësore, si dhe sigurimi për pensione dhe ndihmë invaliditeti;
- ndihma ligjore falas zgjerohet edhe për viktimat e torturës ose trajtimit çnjerëzor ose poshtërues;
- identifikohen personat që kërkojnë të përcaktohet statusi i tyre si persona pa shtetësi, si dhe azilantët dhe të huajt që gëzojnë mbrojtje shtesë.
Meqenëse Aleanca Qytetare që nga viti 2019 po zbaton projektin “Ofrimi i ndihmës juridike falas për azilkërkuesit, refugjatët dhe personat në rrezik të pashtetësisë në Mal të Zi” me mbështetjen e UNHCR-së, vlerësojmë se ndryshimet e përmendura janë shumë të rëndësishme për sa i perket qasjes në drejtësi për individët që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare, por të cilët shpesh për shkak të barrierave gjuhësore nuk kanë mundësinë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në proces.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si këto ndryshime ndikojnë tek individët që kërkojnë t’u përcaktohet statusi i pashtetësisë në lidhje me ndihmën për realizimit e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve, kujdesi shëndetësor dhe sigurimi pensional dhe ai invalidor, pasi këta individë shpesh nuk kanë asnjë dokument që dëshmon ekzistencën e tyre, prandaj janë ligjërisht të padukshëm në sistem.
Gjithashtu, jemi të mendimit se ndihma për personat që kërkojnë t’u përcaktohet statusi i pashtetësisë, duhet së pari të bazohet në zbatimin e plotë dhe efikas të procedurave të regjistrimit në regjistrat e gjendjes civile të Malit të Zi dhe në procedurën për përcaktimin e statusit të individëve pa shtetësi. Për të parandaluar pashtetësinë dhe mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave, ishte e nevojshme të parashikohej që për këto procedura dhe veprime të mund të përdoret edhe ndihma juridike falas.
Për sa i përket viktimave të torturës ose trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, Aleanca Qytetare që në vitin 2013 në analizën e saj “Hulumtim mbi sistemin e ndihmës juridike falas në Mal të Zi” ka theksuar se ligji nuk e njeh në mënyrë eksplicite këtë kategori individësh, kështu që përgëzojmë këtë zgjidhje të re normative.
Gjithashtu përgëzojmë zgjidhjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ndihmës juridike falas që do t’u ofrohet viktimave të këtyre krimeve, në mënyrë që ndihma juridike falas për këta individë të ofrohet vetëm nga avokatë me njohuri të veçanta dhe me të paktën tre vjet përvojë pune në avokati, sipas rendit nga lista e Dhomës së advokatëve.
Bëjme me dije se këta persona do të kenë të drejtën e ndihmës juridike falas në procedurat përkatëse, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet familjare dhe detyrimore, si dhe procedurën e përmbarimit dhe sigurimit, por vetëm pasi një vendim gjyqësor i formës së prerë të konstatojë se personi është me të vërtetë viktimë e torturës, trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.
Megjithëse këto ndryshime përfshijnë një grup shumë më të gjerë individësh që mund ta përdorin këtë të drejtë, ofrimi i ndihmës juridike falas në praktikë nuk është gjithmonë në nivel të kënaqshëm. Prandaj, përveç dixhitalizimit të të gjitha procedurave për miratimin e ndihmës juridike falas, është e nevojshme të forcohen përpjekjet për informim të qytetarëve dhe atyre që zbatojnë ligjin, në mënyrë që vendimet e miratuara të zbatohen realisht në praktikë.
U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që, përmes zbatimit efikas të këtij ligji, të sigurohet një qasje efektive në drejtësi dhe në gjykatë të pavarur dhe të paanshme për qytetaret, që është një nga të drejtat themelore të njeriut që garantohet nga instrumentet ligjore ndërkombëtare, siç është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nga legjislacioni i vendor.
Milena Vujoviq, koordinatore e projekteve në Aleancën Qytetare