Edina Hasanaga Çobaj ka lindur në Ulqin. Ajo ka përfunduar studimet pedagogjike në Fakultetin Filozofik në Nikshiq, si dhe kursin universitar “Lidership dhe punë me të rinjtë”, të akredituar nga Fakulteti i Komunikimeve në Jonkoping, Suedi.
Ajo themeloi organizatën joqeveritare Nisma e të rinjëve për të drejtat e njeriut në vitin 2006, ku prej më shumë se 16 vitësh si drejtoreshë ekzekutive, merret me monitorimin dhe dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Mal të Zi në fusha të ndryshme. Disa prej tyre përfshijnë dhunën me motive politike, torturën nga zyrtarët e policisë dhe burgjeve, diskriminimin, të drejtën për një gjykim të drejtë, gjuhën e urrejtjes, pastaj lirinë fetare, të drejtat e pakicave, të drejtat e bashkësive fetare, etj. Puna e saj përfshin gjithashtu projekte që ofrojnë ndihmë juridike falas dhe punë me qytetarët.
Ajo ka koordinuar disa projekte rajonale në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe është një nga autoret e shumë raporteve për gjendjen e të drejtave të njeriut që janë publikuar në Mal të Zi gjatë dy dekadave të fundit, si dhe filmave dokumentarë mbi të njëjtën temë.
Gjatë viteve në sektorin e OJQ-ve, ajo ka fituar përvojë në planifikimin dhe menaxhimin financiar-administrativ të projekteve. Për një periudhë ka punuar edhe me fëmijët me vështirësi në zhvillim. Ajo është trajnere e komunikimit pa dhunë dhe ka mbajtur disa trajnime për aktivistët dhe profesorët e rinj. Me lider të rinj politik, gazetarë dhe aktivistë të OJQ-ve, ajo punon në edukimin mbi të drejtat e njeriut përmes Shkollës së studimeve politike.
Ka qenë anëtare e Këshillit për mbrojtjen e pacientëve të Spitalit Special të Psikiatrisë në Kotorr, si dhe në Këshillin për transparencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu, ka qënë anëtare e Komisionit lokal për shpërndarjen e fondeve për OJQ-të lokale në Ulqin. Ajo është themeluese dhe anëtare e degës së People to People International në Mal të Zi.
Është alumniste e Shkollës së lidershipit demokratik dhe pjesëmarrëse e shumë seminareve në fushën e të drejtave të njeriut. Ka ndjekur Studimet gjinore të organizuara nga OJQ Anima në Kotorr, Shkollën e Komunikimit të organizuar nga Qendra e Dialogut Nansen, seminare dhe punëtori për avokimin publik të organizuara nga USAID dhe trajnim mbi zhvillimin organizativ të organizuar nga Fondas. Edina ka përfunduar kurset “Demokracia dhe të Drejtat e Njeriut” dhe “Zgjidhja dhe Pajtimi i Konflikteve” të organizuara nga Qendra e Dialogut Nansen në vitin 2001.
Asaj i pëlqen noti.
Me bashkëshortin e saj Bernardin ka djalin Dinon dhe vajzën Erën.