Princ Nikolla Petroviq Njegosh lindi më 7 korrik 1944 në Francë. Ai u diplomua në Fakultetin e Arkitekturës në vitin 1971 në Akademinë e Arteve (École Nationale Supérieure des Beaux-Arts) në Paris. Pas kësaj, punoi si arkitekt i pavarur.
Ai themeloi dhe drejtoi Bienalen e Cetinjës për artin bashkëkohor nga viti 1991 deri në 2002. Pas shpërthimit të konflikteve jugosllave dhe thirrjes së tij për paqe gjatë bombardimit të parë të Dubrovnikut, ai themeloi dhe kryesoi shoqatën Izbor (e cila merrej me përfaqësimin ligjor të viktimave të diskriminimit etnik në ish-Jugosllavi).
Në të njëjtën periudhë, ai themeloi dhe kryesoi Shoqatën SEM (Solidariteti-Evropë-Mali i Zi), e cila organizoi disa fushata për ndihmë humanitare në Mal të Zi.
Kuvendi i Malit të Zi, në vitin 2011, miratoi Ligjin mbi statusin e pasardhësve të dinastisë Petroviq Njegosh, me anë të të cilit u themelua Fondacioni Petroviq Njegosh, të cilin e kryeson princi Nikolla. Aktivitetet e fondacionit janë të fokusuara në solidaritet, zhvillim të qëndrueshëm dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore.
Më 27 prill 2017, Florense Mangin, drejtoresha e Departamentit për Evropën kontinentale në Ministrinë e jashtme të Francës, e dekoroi atë me urdhrin kombëtar të Legjionit të nderit, dekoratën më të lartë franceze.