Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Në Kuvendin e Malit të Zi u hapën ekspozita me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit në Srebrenicë

Në Kuvendin e Malit të Zi sot u hapën ekspozitat “Tregime nga Srebrenica” dhe “Fëmijëria në luftë: Vizatimë nga Srebrenica”, të organizuara me rastin e shënimit të 11 korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit në Srebrenicë, në bashkëpunim ndërmjet Aleancës Qytetare, Kuvendit të Malit të Zi dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës.

Ekspozitat u hapën nga nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Mirsad Nurkoviq, ndërsa të pranishmëve iu drejtua Bojan Bozhoviq, ministër i Drejtësisë, Ivan Raduloviq, koordinator i Programit për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësinë në Aleancën Qytetare, Almir Salihoviq, përfaqësues i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, si dhe deputetja Kenana Strujiq – Harbiq.

Duke hapur ekspozitat, Mirsad Nurkoviq deklaroi se gjenocidi në Srebrenicë përbën një sprovë të përhershme për ndërgjegjen njerëzore dhe një paralajmërim për mbarë njerëzimin. Ai theksoi se 11 korriku nuk është vetëm një datë në kalendar, por një kujtesë për vlerën e çdo jete njerëzore dhe për përgjegjësinë që e vërteta të ruhet nga harresa. Ai theksoi se këtë vit Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit në Srebrenicë shënohet për herë të parë në Kuvendin e Malit të Zi, duke vlerësuar se kjo përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kulturës së kujtesës dhe të përgjegjësisë demokratike të institucioneve. Ai rikujtoi se Kuvendi i Malit të Zi, me miratimin e Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë, si dhe me mbështetjen e Rezolutes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka konfirmuara qartë përkushtimin për ruajtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave.

Duke folur për ekspozitat, Nurkoviq theksoi veçanërisht rëndësinë e vizatimeve të fëmijëve të krijuara gjatë luftës, duke vlerësuar se ato përbëjnë një dëshmi të fuqishme të vuajtjeve të më të vegjëlve dhe një paralajmërim universal se asnjë fëmijë nuk duhet të rritet në kushte lufte e dhune. Ai përfundoi se paqja nuk duhet të merret kurrë si diçka e vetëkuptueshme, por si një vlerë që duhet të ruhet çdo ditë përmes kultivimit të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Bojan Bozhoviq deklaroi se gjenocidi në Srebrenicë përbën një nga plagët më të rënda të historisë bashkëkohore evropiane dhe një krim të cilin gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar pa mëdyshje si gjenocid. Ai theksoi se asnjë shoqëri e përgjegjshme nuk duhet të relativizojë apo mohojë faktet e përcaktuara nga gjykatat, duke nënvizuar se drejtësia bazohet në të vërtetën dhe përgjegjësinë individuale, e jo në fajësinë kolektive. Božović vlerësoi se organizimi i ngjarjeve të tilla në Kuvendin e Malit të Zi konfirmon përkushtimin e shtetit për të kultivuar kulturën e kujtesës, për të respektuar viktimat dhe për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në drejtësi, dialog dhe pajtim.

Ivan Raduloviq theksoi se veçanërisht inkurajuese është fakti që ekspozitat kushtuar Srebrenicës këtë vit organizohen pikërisht në Kuvendin e Malit të Zi, çka përbën një hap të rëndësishëm përpara në kultivimin institucional të kulturës së kujtesës. Ai paralajmëroi se tema e gjenocidit në Srebrenicë përdoret shumë shpesh për përplasje të përditshme politike, ndërsa viktimat mbeten në plan të dytë, duke theksuar se përkujtimi i gjenocidit duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë. Ai vuri në dukje veçanërisht nevojën për edukim më të fuqishëm të të rinjve mbi gjenocidin në Srebrenicë dhe për kundërshtim më të vendosur ndaj revizionizmit historik dhe mohimit të krimeve.

Raduloviq gjithashtu rikujtoi bashkëpunimin shumëvjeçar të Aleancës Qytetare me Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, në kuadër të të cilit janë organizuar vizita studimore për të rinjtë dhe përfaqësuesit e partive politike, si dhe aktivitete të shumta të fokusuara në promovimin e të drejtave të njeriut, përballjen me të kaluarën dhe zhvillimin e kulturës së kujtesës. Ai theksoi se organizimi i këtyre ekspozitave përfaqëson vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për t’ua afruar qytetarëve faktet historike dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në të vërtetën dhe përgjegjësinë.

Almir Salihoviq rikujtoi se më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë, duke nderuar të gjitha viktimat dhe familjet e tyre, të cilat prej tre dekadash e ruajnë me dinjitet të vërtetën për të dashurit e tyre. Ai theksoi se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, drejtësinë dhe përballjen e sinqertë me të kaluarën. Duke folur për ekspozitën “Tregime nga Srebrenica”, ai theksoi se ajo, përmes sendeve personale dhe dëshmive, flet për njerëzit, jetën e tyre, familjet, planet dhe ëndrrat e tyre, duke rikujtuar se viktimat nuk ishin thjesht numra, por individë, dinjiteti i të cilëve u ndërpre dhunshëm. Ai shtoi se Qendra Përkujtimore, duke ruajtur faktet dhe kujtimin për viktimat, njëkohësisht punon në edukimin e brezave të rinj, në mënyrë që ata të njohin rreziqet e urrejtjes, dehumanizimit dhe mohimit të krimeve.

Kenana Strujiq-Harbiq e nisi fjalimin e saj me historinë e nënës Nura Alispahiq, e cila gjatë gjenocidit humbi bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, duke theksuar se fati i saj përfaqëson vetëm një nga mijëra historitë tragjike që dëshmojnë për përmasat e krimit të kryer. Ajo theksoi se, pavarësisht aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe provave të shumta, ende ekzistojnë përpjekje për relativizimin dhe mohimin e gjenocidit, duke paralajmëruar se e vërteta nuk mund të kundërshtohet përmes mesazheve politike apo propagandës.

Ekspozita “Tregime nga Srebrenica” është vendosur në holin e Kuvendit të Malit të Zi, ndërsa ekspozita “Fëmijëria në luftë: Vizatime nga Srebrenica” ndodhet para ndërtesës së Kuvendit. Të dyja ekspozitat do të jenë të hapura për vizitorët deri më 15 korrik, duke u ofruar qytetarëve mundësinë që, përmes dëshmive autentike, sendeve personale dhe vizatimeve të fëmijëve, të njihen me përvojat e viktimave të gjenocidit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e kulturës së kujtesës.

 

Galeri

Shpërndajeni në rrjetet sociale

Lajmet e fundit

9.7
Në Kuvendin e Malit të Zi u hapën ekspozita me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit në Srebrenicë
klapuh-web
Aktgjykimi i parë për krime lufte në Mal të Zi ende pa një epilog të plotë
Danijela Darmanović, fotografija 3
ASK të përmirësojë raportimin për para për organizatat e grave në subjektet politike
panel
Rezultatet konkrete dhe transparente të drejtësisë janë kyçe për rikthimin e besimit të qytetarëve
analiza-web
Njëzet vjet reforma pa rritje të dukshme të besimit në sistem gjyqësor

Kërko