Për të rritur bësimin e qytetarëve në institucionet e sistemit, është e domosdoshme që në periudhën e ardhshme të drejtohen përpjekje shtesë drejt përmirësimit të komunikimit strategjik, veçanërisht në situata krize, gjë që në periudhën e kaluar ka munguar – është përfundimi i ngjarjes “(Mos)besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit dhe perceptimi i punës së drejtësisë”, të cilën sot Aleanca Qytetare e organizoi në Shtëpinë Evropiane në Bijelo Polje.
Në pjesën hyrëse të ngjarjes, prof. dr Miloš Beshiq prezantoi gjetjet kryesore të hulumtimit të Aleancës Qytetare me titull “Besimi i qytetarëve në punën e drejtësisë në Mal të Zi”.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë një perceptim dominues negativ për efikasitetin e sistemit gjyqësor, ku madje 67,3% e qytetarëve konsiderojnë se gjykatat janë të ngadalta në marrjen e vendimeve në rastet e veprave të renda penale, ndërsa vetëm 11,4% besojnë se janë efikase, gjë që tregon një nivel të ulët besimi në aftësinë operative të drejtësisë kur bëhet fjalë për veprat më të rënda penale.
Për më tepër, perceptimi i pavarësisë së gjyqësorit mbetet i kufizuar, pasi vetëm 5% e të anketuarve konsiderojnë se gjykatat dhe gjyqtarët janë shumë të pavarur, ndërsa 25,2% besojnë se janë kryesisht të pavarur, njëkohësisht me një përqindje të lartë të atyre që nuk mund të vlerësojnë (41,6%), çka ndër të tjera tregon edhe një nivel të theksuar pasigurie dhe mungesë të mjaftueshme të informimit të qytetarëve.
Një segment veçanërisht i rëndësishëm i hulumtimit lidhet me perceptimin e rasteve të fundit të arratisjes së personave të denuar, me fokus në rastin e Miloš Medënices. Të dhënat tregojnë se 31,1% e qytetarëve nuk e dinë kush është përgjegjës, ndërsa përgjigjet e tjera ndahen ndërmjet policisë (21,4%), sistemit gjyqësor (25,7%) dhe sistemit në tërësi dhe të komunikuara në mënyrë të pamjaftueshme të përgjegjësisë institucionale.
Njëkohësisht, 60,2% e qytetarëve e vlerësojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe Drejtorisë së Policisë si të dobët, ndërsa 39,8% e tyre mendojnë se ky bashkëpunim është shumë i mirë.
Pas prezantimit të rezultateve të hulumtimit, pasoi një diskutim në panel në të cilin morën pjesë drejtuesja e Prokurorisë së Lartë Shtetërore në Bijelo Polje, Katarina Kljajeviq, gjyqtarja e Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje, Sanja Konatar, dhe shefi i Qëndres Rajonale të Sigurisë “Veriu”, Haris Gjurgjeviq.
Duke komentuar gjetjet e hulumtimit që lidhen me perceptimin e qytetarëve për efikasitetin e drejtësisë në vitin e fundit, sipas të cilave 20,8% e të anketuarve mendojnë se ka pasur përkeqësim të gjendjes, 18,7% se ka pasur përmirësim, 35,5% se gjendja ka mbetur e njëjtë, ndërsa 25% nuk mund ta vlerësojnë, Kljajeviq theksoi se të gjitha institucionet duhet të punojnë në forcimin e besimit, duke nënvizuar se perceptimi i publikut është i lidhur me ndjenjën e drejtësisë dhe pritshmërinë për trajtim të barabartë para ligjit.
Ajo gjithashtu theksoi se perceptimi nuk varet vetëm nga rezultati i çështjeve, po edhe nga niveli i informimit të qytetarëve për kompetencat e institucioneve, duke theksuar se ligjshmëria, efikasiteti dhe paanshmëria janë faktorë kyç që ndikojnë në besim.
Kur bëhet fjalë për hapat konkretë që prokuroria ka ndërmarrë me qëllim rritjen e transparencës dhe informimit në kohë të publikut, ajo rikujtoi Strategjinë e re të Komunikimit dhe rëndësinë e saj në këtë kontekst.
Duke folur për bashkëpunim, Kljajeviq theksoi se ekziston një bashkëpunim i shkëkqyer me policinë dhe gjykatat, i cili reflekohet në takime të rregullta dhe shkëmbim të udhëzimeve.
I pyetur për të komentuar gjetjet e hulumtimit të Aleancës Qytetare, sipas të cilave rreth 45% e të anketuarve kanë besim në punën e policisë, Haris Gjurgjeviq tha se Drejtoria e Policisë monitoron vazhdimisht perceptimin e qytetarëve përmes hulumtimeve të ndryshme dhe se në këtë drejtim bashkëpunon vazhdimisht me organizatat relevante ndërkombëtare.
Ai theksoi se perceptimi i publikut në masë të madhe varet nga dukshmëria e rezultateve konkrete të punës së institucioneve, si dhe se beson që Drejtoria e Policisë bën një punë të mirë sa i përket komunikimit me qytetarët.
Duke folur për rastin Balijagiq dhe çështjen e lëshimeve dhe përgjegjësisë së zyrtarëve policorë, në lidhje me kontrollin e Brendshëm, te 10 zyrtarë policorë janë vërejtur parregullsi, përkatësisht paligjshmëri në punë, gjë që ka shkaktuar nisjen e procedurave disiplinore.
Sanja Konatar u ndal te gjetja se zgjatja e proceseve gjyqësore dhe vonesat në dhënien e aktgjykimeve të shkallës së parë ndikojnë në besim, duke theksuar se perceptimi varet nga përvoja e palëve dhe mënyra se si mediat i përcjellin informacionet.
Duke folur për kohëzgjatjen e procedurave, ajo theksoi se gjykatat përballen me një numër të madh çështjesh dhe mungesë gjyqtarësh, si dhe se efikasiteti varet edhe nga pjesëmarrës të tjerë në procedurë. Ajo vuri në dukje se situata ndërlikohet më tej nga ndryshimet jo të rralla të gjyqtarëve që merren me çështjen ose nga anulimi i aktgjykimeve, gjë që çon në përsëritjen e procedurës.
Konatar theksoi se, me qëllim të shkurtimit të kohëzgjatjes së procedurave, ekziston një plan i qartë i përcaktuar për zgjidhjen e çështjeve të vjetra, si dhe trajtim prioritar në rastet urgjente, plotësimi i vendeve të gjyqtarëve dhe zbatimi i masave të digjitalizimit.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Drejtësia në shifra: Perceptimet e qytetarëve dhe puna e gjyqësorit”, i cili zbatohet nga Aleanca Qytetare me mbështetjen financiare të MANS dhe Naša akcija, në kuadër të projektit “Fuqizimi i zërave të komunitetit: Avokimi për drejtësi dhe sundimin e ligjit” (“Empowering Community Voices: Advocating for Justice and Rule of Law”), i financuar nga Bashkimi Evropian përmes Delegacionit të BE-së në Mal të Zi.




