Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Trashëgimia e së kaluarës dhe përgjegjësia e lidëreve dhe lidereve të rinj për të ardhmen

Gjatë dy ditëve të kaluara, pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset e gjeneratës së XXIII të Shkollës së Studimeve Politike, së bashku me alumnistët e programit, qëndruan në një vizitë studimore në Sarajevë dhe Srebrenicë me titullin “Trashëgimia e së kaluarës dhe përgjegjësia e liderëve dhe lidereve të rinj për të ardhmen”.

Qëllimi i vizitës studimore ishte që, përmes dialogut dhe shkëmbimit të përvojave me pjesëmarrësit e Shkollës së Studimeve Politike të Bosnje dhe Hercegovinës, të hapej hapësirë për diskutim nëse gjeneratat e reja mund të ndërtojnë një të ardhme më stabile dhe më demokratike, por edhe se cila është përgjegjësia e liderëve dhe lidereve të rinj sot në ndërtimin e dialogut, besimit dhe marrëdhënieve më të mira fqinjësore në rajon.

“Ditën e parë të programit u mbajtën dy diskutime paneli. Në panelin “Pasojat e luftës: mes politikës, drejtësisë dhe humanizmit” folën Emza Fazliq, këshilltare e Kolegjiumit të drejtorëve të Institutit për Personat e Zhdukur, dhe Danijal Haxhoviq, redaktor i gazetës ‘Dnevni Avaz’. Gjatë diskutimit u fol për pasojat e luftërave të viteve nëntëdhjetë, procesin e kërkimit të personave të zhdukur, qasjen e shoqërive të rajonit ndaj së kaluarës së luftës, si dhe rolin e mediave dhe institucioneve në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimin e kulturës së kujtesës.

Në panelin e dytë me titull “Trashëgimia e së kaluarës dhe përgjegjësia e liderëve të rinj për të ardhmen” folën Belmin Zukan, deputet në Parlamentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe Miloš Krstoviq, këshilltar në Kuvendin e Kryeqytetit të Malit të Zi. Paneli iu kushtua diskutimit mbi atë se sa e kaluara e luftës vazhdon edhe sot të formësojë hapësirën politike dhe shoqërore të rajonit, në çfarë mënyre elitat politike vazhdojnë të përdorin temat nga e kaluara, sa qasje kanë të rinjtë në informata objektive për luftërat e viteve nëntëdhjetë, por edhe se si gjeneratat e reja të politikanëve dhe politikaneve mund të kontribuojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të ndryshme rajonale, të bazuara në dialog, bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Në kuadër të vizitës studimore u organizua edhe vizita në Tunelin e Shpëtimit, si dhe një vizitë në Sarajevë, gjatë së cilës pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë e qytetit dhe jetën e qytetarëve gjatë rrethimit të Sarajevës.

Ditën e dytë të programit u organizua një vizitë në Srebrenicë dhe në Qendrën Memoriale të Potoçarit, ku pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset vizituan ekspozitat memoriale dhe varrezat kushtuar viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Përmes materialeve arkivore, dëshmive dhe ekspozitave muzeale, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më në detaje me ngjarjet e korrikut të vitit 1995, por edhe me rëndësinë e kulturës së kujtesës, ballafaqimit me të kaluarën dhe ruajtjes së fakteve të vërtetuara gjyqësisht në kohën e rritjes së revizionizmit historik dhe mohimit të krimeve të luftës në rajon.

Galeri

Shpërndajeni në rrjetet sociale

Lajmet e fundit

panel
Rezultatet konkrete dhe transparente të drejtësisë janë kyçe për rikthimin e besimit të qytetarëve
analiza-web
Njëzet vjet reforma pa rritje të dukshme të besimit në sistem gjyqësor
Trashëgimia e së kaluarës dhe përgjegjësia e lidëreve dhe lidereve të rinj për të ardhmen
Panel I
Ndikimet politike dhe mungesa e transparencës vazhdojnë të jenë të pranishme në arsim
GA 16x9 bez teksta
Pothuajse gjysma e të rinjve mendojnë se institucionet nuk i dëgjojnë, pjesëmarrje pa ndikim të vërtetë

Kërko