Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Njëzet vjet reforma pa rritje të dukshme të besimit në sistem gjyqësor

Njëzet vjet pas rivendosjes së pavarësisë, Mali i Zi ende nuk ka një sistem gjyqësor që qytetarët e perceptojnë si mjaftueshëm të pavarur, efikas dhe rezistent ndaj ndikimeve politike ky është përfundimi kryesor i publikimit “Dy dekada reformash në sistemin gjyqësor e Malit të Zi”, të cilin Aleanca Qytetare e përgatiti me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Publikimi jep një pasqyrë të zhvillimit të gjyqësorit nga viti 2006 e deri më sot përmes proceseve reformuese në kuadër të integrimeve evropiane, raporteve të Komisionit Evropian, treguesve statistikorë të punës së gjykatave dhe prokurorisë shtetërore, si dhe hulumtimeve të opinionit publik mbi besimin e qytetarëve në institucione.

Megjithëse gjatë dy dekadave të fundit janë miratuar ligje të reja, është ndryshuar kuadri institucional dhe janë zbatuar reforma të shumta në fushën e sundimit të ligjit, gjetjet tregojnë se përparimet e pritura nuk janë bërë mjaftueshëm të dukshme në funksionimin e përditshëm të sistemit. Qytetarët dhe qytetaret vazhdojnë të identifikojnë si probleme kryesore ndikimin politik, korrupsionin, procedurat e gjata dhe rezultatet e kufizuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Sipas të dhënave të hulumtimit të paraqitur në publikim, 35,2% e qytetarëve konsiderojnë se gjendja në gjyqësor që nga rivendosja e pavarësisë ‘nuk ka ndryshuar ndjeshëm’, ndërsa vetëm 8,4% vlerësojnë se gjyqësori ‘ka përparuar ndjeshëm’. Në të njëjtën kohë, më shumë se gjysma e të anketuarve, 51,7%, e vlerësojnë negativisht punën e gjyqësorit gjatë vitit të fundit.

Vlerësimet negative janë veçanërisht të theksuara kur bëhet fjalë për rezistencën e sistemit ndaj ndikimeve politike, të cilën negativisht e vlerësojnë 64,1% e të anketuarve, si dhe për efikasitetin e punës dhe kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore, ku qëndrim negativ kanë 65,4% e qytetarëve. Hulumtimi njëkohësisht tregon se qytetarët dhe qytetaret e vlerësojnë më pozitivisht profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve sesa mënyrën e funksionimit të sistemit në tërësi, gjë që tregon se problemet kryesisht identifikohen në organizimin institucional dhe menaxhimin.

Qytetarët dhe qytetaret japin gjithashtu një nivel të lartë mbështetjeje për zbatimin e verifikimit të përgjegjësisë profesionale (vettingut) në gjyqësor dhe në Drejtorinë e Policisë. Këtë masë e mbështesin më shumë se 77% e të anketuarve, ndërsa vetëm 6,5% janë kundër saj.

Publikimi rikujton gjithashtu se raportet e Komisionit Evropian prej vitesh theksojnë të njëjtat probleme – ndikimin politik në gjyqësor, procedurat e gjata, numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura dhe rezultatet e pamjaftueshme në ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dhënat statistikore mbi punën e gjykatave dhe prokurorive e konfirmojnë më tej ngarkesën shumëvjeçare të sistemit, veçanërisht në rastet komplekse.

Një sfidë e veçantë paraqet edhe puna e prokurorisë shtetërore, e cila përballet me mungesë të stafit, kapacitete të papërshtatshme hapësinore, pajisje teknike të pamjaftueshme dhe rritje të kompleksitetit të lëndëve, veçanërisht në fushat që kërkojnë njohuri të specializuara nga ekonomia, financat dhe teknologjitë informative.

Njëzet vjet reforma kanë treguar se miratimi i ligjeve dhe ndryshimet institucionale nuk janë të mjaftueshme pa zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë. Pikërisht për këtë arsye, sfida kryesore në periudhën e ardhshme do të jetë rikthimi i besimit të qytetarëve përmes procedurave më efikase, përgjegjësisë më të madhe të institucioneve dhe rezultateve të dukshme në fushat që publiku prej vitesh i njeh si dobësitë më të mëdha të sistemit.

Shpërndajeni në rrjetet sociale

Lajmet e fundit

panel
Rezultatet konkrete dhe transparente të drejtësisë janë kyçe për rikthimin e besimit të qytetarëve
analiza-web
Njëzet vjet reforma pa rritje të dukshme të besimit në sistem gjyqësor
Trashëgimia e së kaluarës dhe përgjegjësia e lidëreve dhe lidereve të rinj për të ardhmen
Panel I
Ndikimet politike dhe mungesa e transparencës vazhdojnë të jenë të pranishme në arsim
GA 16x9 bez teksta
Pothuajse gjysma e të rinjve mendojnë se institucionet nuk i dëgjojnë, pjesëmarrje pa ndikim të vërtetë

Kërko