Aleanca Qytetare i bën thirrje Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ASK) që të permirësojë modelin e raportimit mbi mënyrën dhe qëllimin e shpenzimit të mjeteve për financimin e punës së rregullt të organizatave të grave brenda subjekteve politike dhe të vendosë një raport narrativ të detyrueshëm, në të cilin subjektet politike do të shpjegonin në mënyrë të detajuar se cilat aktivitete janë realizuar, sa gra janë perfshirë në to dhe në çfarë mënyre mjetet e shpenzuara kanë kontribuar në fuqizimin e grave në politikë.
Nga raportet që partitë politike i dorëzojnë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ASK), nuk mund të percaktohet se si janë shpenzuar me shumë se 1.1 milion euro nga fondet publike të dedikuara për punën e organizatave të grave. Në vend të një pasqyrimi të qartë të aktiviteteve që duhet të kontribuojnë në fuqizimin e grave për veprimin politik, raportet përmbajnë shpenzime të paraqitura në menyrë të përmbledhur, ndihma financiare njëherëshe, donacione, shpenzime reprezentative dhe zëra të tjerë, nga të cilët nuk mund të përcaktohet nëse paratë janë shpenzuar për aktivitete që kontribuojnë në fuqizimin e grave në politikë.
Që nga viti 2020, me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe Fushatave Zgjedhore është vendosur një ndarje e veçantë buxhetore për punën e organizatave të grave të partive politike, me qëllim forcimin e kapaciteteve të grave për një pjesëmarrje më aktive në politikë. Edhe pse ligji përcakton se mjetet duhet të përdoren në përputhje me statutet e organizatave të grave, shumica e këtyre statuteve nuk janë të disponueshme publikisht, ndaj qytetarët dhe qytetaret nuk mund të verifikojnë nëse paratë janë shpenzuar në përputhje me rregullat.
Shembujt nga raportet financiare ilustrojnë më tej problemin. DNP-ja, nga fondet e marra për punën e organizatës së grave, ka raportuar shpenzime në vlerë prej 18.2 mijë eurosh, nga të cilat më shumë se 10 mijë euro janë shpenzuar për reklama. DPS-ja ka drejtuar më shumë se 100 mijë euro, ndër të tjera, për Kongresin e Aleancës së Grave, aktivitetet parazgjedhore, skenografinë, fotografitë dhe festën para Vitit të Ri.
Njëkohësisht, disa subjekte politike kanë justifikuar përdorimin e mjeteve financiare përmes donacioneve, ndihmave të njëhershme, pagesave të rastit me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Pashkëve, aktiviteteve për shënimin e 8 Marsit, si dhe shpenzimeve për reprezentacion.
Shembulli më i theksuar është ai i Partisë Boshnjake, e cila më shumë se 80 për qind të mjeteve të pranuara (88.460 euro) i ka evidentuar si shpenzim për ndihmë monetare të njëhershme. HGI ka paraqitur shpenzime në vlerën prej 21.916 eurosh për shënimin e 8 Marsit, pagesa të shpërblimeve për Krishtlindje dhe Pashkë, ndërsa URA ka evidentuar 6.167 euro për sponsorizime, donacione dhe shënimin e 8 Marsit. Lëvizja Evropa Tani ka paraqitur në vlerën prej 46.686 eurosh për aktivitetet në kuadër të Tetorit Rozë dhe shpenzime për reprezentacion me rastin e 8 Marsit, ndërsa SNP ka evidentuar 11.230 euro për ndihmë solidare.
Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të alokuara nuk është shpenzuar nga partitë parlamentare, ose shpenzimet përkatëse nuk janë paraqitur. Kështu, te Demokratët kanë mbetur të pashpenzuara më shumë se 64 mijë euro, te SNP-ja mbi 58 mijë euro, të HGI-ja pothuajse 55 mijë euro, të Levizja Evropa Tani më shumë se 31 mijë euro, te DNP-ja mbi 21 mijë euro, ndërsa CIVIS-i, nga 3.545 euro të alokuara, ka shpenzuar më pak se 500 euro.
Këto gjetje marrin rëndësi të veçantë kur krahasohen me rezultatet e hulumtimit të Aleances Qytetare, “Pjesëmarrja e grave në politikën lokale – analizë empirike e qëndrimeve dhe përvojave të këshilltareve”, të realizuar në nëntor të vitit 2025. Pothuajse 40 për qind e të anketuarave kanë theksuar trajnimet politike dhe të komunikimit si formën më të rëndësishme të mbështetjes, ndërsa ndër prioritetet janë veçuar akademitë politike, mentorimi dhe zhvillimi i aftësivë praktike politike. Me fjalë të tjera, gratë shprehen qartë se dëshirojnë edukim dhe fuqizim, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mjeteve publike të dedikuara pikërisht për këtë qëllim mbeten të pashpenzuara ose, nga raportet, nuk mund të konstatohet se janë përdorur për aktivitete që përputhen me këtë qëllim.
Edhe pse formulari i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kërkon që, për secilin aktivitet individual, të specifikohet burimi i financimit, partitë politike në përgjithësi i paraqesin shpenzimet në mënyrë të përmbledhur dhe shumë të përgjithësuar. Për këtë arsye, nuk është e mundur të percaktohet se çfarë është financuar konkretisht, kush ka marrë pjesë në aktivitete dhe cilët kanë qenë indikatorët e arritur të suksesit.





