Krimet e luftës të kryera në vitet e ’90-ta nuk u trajtuan në mënyrë adekuate nga organet shtetërore në Mal të Zi, gjë që ka shkaktuar mungesë besimi në institucione, u konstatua në panel diskutimin “Institucionet që (nuk) e dëgjojnë britmën e padrejtësisë?”, të organizuar nga Aleanca Qytetare në Podgoricë.
Ivan Radulloviq nga Aleanca Qytetare, në fjalën e tij hyrëse, vlerësoi se është e vështirë të gjendet një kënd i ri nga i cili mund t’i qasemi historive të krimeve të luftës të kryera para tre dekadash, duke theksuar se duhet të përballemi me realitetin se për gjithë këto vite nuk është bërë shumë për këtë çështje.
Ai vuri në dukje se përkundër këtij fakti, aktivitetet kushtuar viktimave të krimeve nuk duhet të ndërpriten dhe se institucionet duhet përfundimisht t’i japin fund praktikës së heshtjes kur bëhet fjalë për krimet e luftës.
Momo Koprivica, zëvendëskryeministër për sistemin politik, drejtësi dhe antikorrupsion, përshëndeti aktivitetet e Aleancës Qytetare në këtë fushë, duke thënë se përballja me trashëgiminë e dhunës është një nga parakushtet për demokratizimin e vërtetë të shoqërisë.
Koprivica theksoi se është bërë përparim në procesin e ndjekjës së krimeve të luftës, siç janë ndryshimet në Ligjin për procedurë penale, duke theksuar se Prokuroria e lartë e shtetit ka hartuar Strategjinë për Hetimin e Krimeve të Luftës për periudhën 2024-2027, sepse strategjia e mëparshme nuk ka dhënë rezultate. Ai tha gjithashtu se Mali i Zi dhe institucionet e tij do të insistojnë që të shfrytëzohën mekanizmat ligjorë për të parandaluar lirimin e personave të dënuar për krime lufte, sepse në atë mënyrë ofendohen ndjenjat e familjeve të viktimave, dhe parakushti më i rëndësishëm për këtë është bashkëpunimi ndërkombëtar.

Millan Zhugiq, kryeredaktor i agjencisë MINA dhe autor i filmit dokumentar “Kllapuh – Tri dekada padrejtësi” që u transmetua në manifestimin e sotëm, u bëri thirrje të gjithë kolegëve që të aktivizohen dhe të hapin historinë e krimeve të luftës, duke përjashtuar notën politike dhe duke u udhëhequr ekskluzivisht nga qasja njerëzore.
Duke folur për punën në filmin dokumentar për familjen Kllapuh, Zhugiq tha se ishte një detyrë sfiduese, sepse ka pak dëshmitarë të gjallë dhe njerëz që janë të gatshëm të flasin për këtë temë.

Para panelit u shfaqen premierë dy filma dokumentarë: „Kllapuh – Tri dekada padrejtësie“ dhe filmi „Shtrpci – Treni që kaloi?“ të autorit Sead Sadikoviq, gazetar i RTCG-së.

Ngjarja e sotme është pjesë e projektit „Kultura e kujtesës për një të ardhme më të ndritur“, e cila mbështetet përmes projektit rajonal „Mbështetje e BE-së për ndërtimin e besimit në Ballkanin Perëndimor“, i cili realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Projekti zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).