Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Ekipi ynë

Pavle Qupiq

Koordinator programi

Pavle Qupiq ka lindur në Cetinje. Shkollën fillore e përfundoi në Podgoricë, gjimnazin në Danillovgrad, ndërsa fakultetin juridik në Podgoricë. Ka dhënë provimin profesional për punë në organet shtetërore.

Gjatë viteve 2006 dhe 2007, ka mbajtur disa pozita në sektorin e turizmit, kryesisht në fushën e menaxhimit të stafit. Nga viti 2008 deri në 2018 ka punuar si asistent programi për monitorim dhe analitikë në “Rrjetin për afirmimin e sektorit joqeveritar – MANS”, ku ishte përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve të ndryshme monitoruese dhe analitike, përfshirë ato që lidhen me Kuvendin e Malit të Zi. Ai ishte personi kyç në MANS për lobim dhe aktivitete të ngjashme në Kuvend, si dhe për komunikimin me deputetët dhe administratën parlamentare. Ka marrë pjesë në shumë mbledhje të trupave punues të Kuvendit dhe seanca plenare, duke siguruar mbështetje për deputetët në situata të ndryshme. Gjithashtu, ka marrë pjesë në hartimin e disa teksteve ligjore, akteve nënligjore dhe amendamenteve. Ka qenë drejtpërdrejt përgjegjës për analizën e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, analizën e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të procedurave të tjera ligjore. Ndër të tjera, ka qenë përgjegjës për monitorimin e rregullsisë së procesit zgjedhor në Mal të Zi dhe për mbikëqyrjen e financimit të partive politike.

Nga viti 2018 deri në vitin 2020, Pavlle ka punuar si menaxher në agjencinë turistike “Montenegro turist service”, ndërsa nga viti 2020 deri në vitin 2021 ka mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv në kompaninë “Buena Vista Habano”.

Që nga viti 2021 është i punësuar në Fondacionin Joqeveritar „Aleanca Qytetare”, ku punon si këshilltar ligjor, përgjegjës për ofrimin e ndihmës juridike falas për azilkërkuesit dhe personat me mbrojtje ndërkombëtare. Gjithashtu, ai përfaqëson azilkërkuesit gjatë sëancave të tyre përpara Drejtorisë për Azil. Përveç kësaj, është përgjegjës për monitorimin e procesit të qasjes në të drejta, duke ndihmuar në realizimin e të gjitha të drejtave të përcaktuara me ligj, që përfshin hartimin e dokumenteve dhe formateve të shkruara për përdoruesit dhe dërgimin e tyre tek organet kompetente. Përshkrimi i punës së tij përfshin edhe hartimin e padive dhe ankesave kunder vendimeve të Drejtorisë për Azil, të cilat i dërgohen Gjykatës Administrative. Si përfaqësues i Aleancës Qytetare, ai merr pjesë në punën e Komitetit për të drejtat e njeriut dhe liritë të Kuvendit të Malit të Zi. Ai kryen monitorimin e ambienteve të paraburgimit dhe mbikëqyr respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Ka marrë pjesë në punimet e Komitetit të OKB-së kundër torturës, në seancen e 73-të, ku ka prezantuar gjendjen e të drejtave të njeriut në Mal të Zi dhe nivelin e respektimit të Konventës kundër torturës dhe ndëshkimeve apo trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore dhe poshtëruese. Gjithashtu, ai monitoron punën e Këshillit Gjyqësor dhe merr pjesë në të gjitha aktivitetet e organizatës që lidhen me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai është anëtar i grupit punues për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria.

Është alumnist i Shkollës së lidershipit demokratike pranë Këshillit të Evropës. Ka ndjekur shkollën e paqes dhe dialogut (Qendra Nansen për Paqe dhe Dialog) dhe me atë rast ka realizuar një vizitë studimore në Parlamentin e Norvegjisë, Qeverinë Norvegjeze, Sindikatën e tyre, partitë politike dhe institucionet e tjera relevante në Oslo dhe Lillehammer.

Ka ndjekur trajnime në fushën e teknikës së hartimit të ligjeve, organizuar nga Administrata e kuadrove njerzore e Malit të Zi, si dhe trajnim në fushën e monitorimit të shpenzimeve buxhetore, organizuar nga Transparency International në Beograd. Ka marrë pjesë në një numër të madh konferencash dhe tryezash të rrumbullakëta kushtuar kompetencave të Kuvendit të Malit të Zi, si dhe në tryeza të shumta të rrumbullakëta kushtuar luftës kundër korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Është bashkautor dhe autor i një sërë raportesh dhe publikimesh në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, punës së gjykatave dhe trajtimit të qytetarëve nga institucionet e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, fushatave zgjedhore, transparencës në shpenzimin e parave publike në Mal të Zi, si dhe raporteve të dedikuara për punën e Kuvendit të Malit të Zi dhe trupave të tij punues.

Ai është i martuar me Sanjën dhe ka një vajzë, Mashën.