Rasti i Dinara Smailovës është një alarm për institucionet shtetërore që në raste të tilla dhe të ngjashme nuk ka vend për zbatim të gabuar të normave ligjore apo qasje të pakujdesshme, sepse gabime të tilla rezultojnë në padrejtësi të thellë, madje edhe në torturë apo vdekje. Ky është përfundimi i konferencës së sotme për media “Historia e Dinara Smailovës – nga aktiviste për të drejtat e njeriut në refugjate”, e organizuar nga Aleanca Qytetare në Shtëpinë Qytetare.
Dinara Smailova, aktiviste nga Kazakistani për të drejtat e grave, kërkoi azil në Mal të Zi për tre arsye: për shkak të shëndetit, sepse mjeku i kishte rekomanduar detin; sepse Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.
Ajo deklaroi se ndaj saj në Kazakistan janë duke u zhvilluar 18 procedura penale, prej të cilave dy janë mbyllur për mungesë provash dhe se gjithçka ka filluar pas një postimi të saj në rrjetet sociale ku thoshte se gratë nuk duhet të heshtin për dhunën, si dhe me themelimin e fondit “Lëvizja publike kundër dhunës #MosHeshtKZ”. Përmes veprimtarisë së këtij fondi, në nëntë vite ajo ka ndihmuar mijëra gra, ka çuar në dënimin e 315 dhunuesve dhe ka zbuluar pasivitetin sistematik të policisë kazake – më shumë se 200 policë janë ndëshkuar disiplinisht dhe 12 policë janë dënuar me burg për vepra të rënda penale.
Për këtë arsye, regjimi i Kazakistanit i ka hapur asaj tetë procedura penale të motivuara politikisht, duke e akuzuar në mënyrë të rremë për mashtrim dhe përhapje dezinformatash, ndërsa donatorët e fondit të saj janë nënshtruar hetimeve dhe frikësimeve policore. Autoritetet i kanë ndaluar rikthimin në Gjeorgji, ku kishte jetuar në mërgim, ndërsa në Mal të Zi ka kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.
Smailova ka falënderuar për mbështetjen Parlamentin Evropian, organizatën Human Rights Defenders, UNHCR-in dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe Aleancën Qytetare dhe Fondin Kundër luftës së Rusisë për ndihmën juridike.
Bashkëshorti i saj, aktivisti për të drejtat e njeriut Almat Mukamedzhanov, deklaroi se institucionet shtetërore janë të korruptuara dhe joprofesionale, dhe se mbulojnë njëri-tjetrin përmes lidhjeve profesionale dhe personale, si dhe se Fondi që ata drejtojnë është përndjekur që nga fillimi.
“Dinën nuk e përndjek vetëm shteti, por edhe vrasësit, dhunuesit, ata që kanë para dhe pushtet. Gjykata kazake i liroi vrasësit e një fëmije gjashtëvjeçar, gjë që shkaktoi zemërim të madh në shoqëri, ndërsa Dinën e përndjekin sepse Fondi ka njoftuar shtetin për të gjitha shkeljet gjatë hetimit,” tha Almat.
Ai shtoi se kjo është vetëm një nga çështjet penale, ndërsa në të vërtetë ka disa qindra të tilla.
Petar Vukçeviq, këshilltar ligjor i Aleancës Qytetare dhe përfaqësues i Smailovës në procedurën për marrjen e azilit, theksoi se në përvojën e deritanishme të Aleancës Qytetare, e cila ka përfaqësuar mbi një mijë raste, beson se nuk kanë pasur një rast kaq të qartë. Ai shtoi se sasia e materialit dhe fakteve që zyrtarët e Drejtorisë për Azil kanë pasur për të shqyrtuar është pikërisht arsyeja pse ende sot nuk kemi një vendim për këtë kërkesë.
Vukçeviq gjithashtu theksoi se veprimet e zyrtarëve të policisë, të cilët me urdhër të prokurorisë kontaktuan autoritetet e Kazakistanit dhe i dërguan informacionet për zonjën Smailova, kanë shkelur një sërë parimesh.
Dalibor Tomoviq, avokat në procedurën e kërkesës për ekstradim nga Republika e Kazakistanit, shpjegoi se si arsye për ekstradimin e Dinara Smailovës është përmendur një vjedhje në masë të madhe gjatë periudhës nga qershori deri në nëntor 2024, kohë kur ajo ndodhej në Mal të Zi, dhe është kërkuar që të bëhet një procedurë ekstradimi dhe të arrestohet – gjë që ndodhi më 14 prill.
Tomoviq konsideron se të dy masat e shqiptuara, heqja e pasaportës dhe paraqitja e rregullt pranë organeve policore, janë të tepërta pasi ajo ndodhet në proces mbrojtjeje ndërkombëtare, nga e cila del që ajo duhet të paraqitet çdo muaj pranë autoriteteve shtetërore.
Tomoviq shtoi se pret që shumë shpejt të vazhdojë procedura e ekstradimit, por gjithashtu që shumë shpejt do të kemi një vendim pozitiv nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila do të pengojë ekstradimin e saj.
Anara Kusainova, avokate në procedurat në Kazakistan, shpjegoi se procedura penale kundër Dinara Smailovës nuk është nisur mbi baza të ankesave nga qytetarët, por me një regjistrim të policisë, ndërsa dëshmitë e donatorëve janë marrë nën presion, disa muaj më vonë.
Nga shtatë mijë donatorë, janë mbledhur vetëm tetë dëshmi dhe dëmi total i pretenduar është më pak se 40 euro, një shumë që sipas ligjit kazak nuk përbën vepër penale.