Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Romët ende jetojnë në margjinat e shoqërisë dhe pa qasje thelbësore në të drejtat e tyre

Pavarësisht strategjive të shumta dhe përkushtimit deklarativ ndaj përfshirjes, romët në Mal të Zi ende jetojnë në margjinat e shoqërisë, pa qasje thelbësore në të drejtat që u janë formalisht të garantuara.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, theksojmë se komuniteti rom në Mal të Zi vazhdon të jetojë në një hendek midis të drejtave të garantuara formalisht dhe zbatimit të tyre real.

Përfaqësimi politik i romëve mbetet një problem i theksuar dhe afatgjatë, pavarësisht rekomandimeve shumëvjeçare dhe nevojës së qartë të njohur për ndryshimin e pragut zgjedhor. Gjatë vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026 nuk janë ndërmarrë hapa konkretë drejt ndryshimeve në legjislacion zgjedhor që do të mundësonin pjesëmarrjen e tyre në proceset e vendimmarrjes. Si rezultat i një qasjeje të tillë, komuniteti rom ende nuk ka përfaqësues në Kuvendin e Malit të Zi, ndërsa pjesëmarrja e tyre politike kryesisht mbetet e kufizuar në nivel lokal, pa ndikim të rëndësishëm në hartimin e politikave publike.

Një nga treguesit më të dukshëm të marginalizimit afatgjatë është edhe çështja e strehimit. Edhe pse ky problem njihet prej vitesh, zgjidhjet e qëndrueshme ende mungojnë. Kështu, në fillim të vitit 2026, në lagjen Konik të Podgoricës, disa familje rome u përballën me urdhra për dëbim pa u siguruar strehim i përhershëm dhe adekuat, gjë që e thellon më tej pasigurinë e tyre sociale dhe tregon mungesën e një politike afatgjatë të strehimit për këtë komunitet.

Një sfidë e madhe përbën edhe pozita e grave rome, të cilat janë të ekspozuara ndaj diskriminimit të shumëfishtë mbi bazën e përkatësisë etnike, gjinisë dhe statusit socio-ekonomik. Sipas gjetjeve të Këshillit të Evropës (ECRI), gratë nga këto komunitete bëjnë pjesë ndër grupet më të cenueshme, me qasje tejet të kufizuar në arsim, punësim dhe shërbime bazë. Këto kushte e thellojnë edhe më tej ciklin e varfërisë dhe përjashtimit shoqëror që përcillet nga brezi në brez.

Një numër i konsiderueshëm i vajzave nga komuniteti rom nuk e përfundon arsimin fillor, ndërsa pjesëmarrja e tyre në arsimin e mesëm dhe të lartë mbetet ende shumë e ulët. Shkaqet kryesore janë varfëria, martesat e hershme dhe të aranzhuara, si dhe mungesa e mbështetjes sistemore, përfshirë transportin, bursat dhe asistentët arsimorë.

Njëkohësisht, sipas raportit të Komisionit Evropian për Malin e Zi për vitin 2025, romët, e veçanërisht gratë, përballen me një shkallë jashtëzakonisht të ulët të punësimit dhe një nivel të lartë të pasivitetit ekonomik, ndërsa shumë prej tyre janë të angazhuar në ekonominë informale, pa mbrojtje sociale dhe ligjore.

Shtesë shqetësuese është edhe qasja e kufizuar në kujdesin shëndetësor, veçanërisht në fushat e shëndetit riprodhues, si dhe niveli i ulët i raportimit të dhunës me bazë gjinore, që lidhet me mungesën e besimit në institucione dhe me barrierat shoqërore.

Një nga problemet kryesore të romëve me origjinë nga Kosova lidhet me statusin juridik dhe dokumentacionin personal, duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të kësaj bashkësie erdhen në Mal të Zi gjatë dhe pas konfliktit në fund të viteve nëntëdhjetë, shpesh pa dokumente personale. Mungesa e këtyre dokumenteve, para së gjithash e certifikatave nga librat amzë, e vështirëson qasjen në shtetësi, punësim, të drejta sociale dhe arsim, nderkohë që procedurat administrative janë shpesh të gjata, komplekse dhe financiarisht të renduara për familjet tashme të cenueshme.

Në fushën e kujdesit shëndetësor, problemet shpesh prekin edhe ata që kanë qëndrim të rregulluar në Mal të Zi. Për shkak të pamundësisë për t’u çregjistruar nga sistemi i sigurimit shëndetësor në Kosovë, pjesëtarët e kësaj bashkësie nuk mund të realizojnë të drejtën për sigurim shëndetësor në Mal të Zi, gjë që i lë jashtë sistemit dhe i detyron të përballojnë vetë shpenzimet e trajtimit ose të kërkojnë shërbime shëndetësore jashtë vendit.

Edhe pse në praktikë një formë e caktuar mbështetjeje ofrohet nga ndërmjetësit shëndetësorë, ndërsa punonjësit shëndetësorë shpesh tregojnë ndjeshmëri ndaj më të cenueshmëve, zgjidhje të tilla nuk janë sistematike dhe nuk mund të zëvendësojnë mungesën e një përgjigjeje institucionale. Sfida të ngjashme janë të pranishme edhe në fusha të tjera, si arsimi, punësimi dhe strehimi, ku kombinimi i barrierave administrative, varfërisë dhe diskriminimit kufizon edhe më tej mundësitë e kësaj bashkësie për integrim të plotë shoqëror.

E gjithë sa u tha tregon se, për shkak të mungesës së masave sistematike dhe të koordinuara, pozita e komunitetit rom në Mal të Zi ende nuk është përmirësuar në thelb. Pa përgjegjësi të qartë politike dhe zbatim të qëndrueshëm të politikave ekzistuese, të drejtat e garantuara formalisht do të vazhdojnë të mbeten pa efekt real në praktikë.

Shpërndajeni në rrjetet sociale

Lajmet e fundit

GA 16x9 bez teksta
Pothuajse gjysma e të rinjve mendojnë se institucionet nuk i dëgjojnë, pjesëmarrje pa ndikim të vërtetë
Përmirësimi i pjesëmarrjes së të rinjve është çelësi për një shoqëri më të qëndrueshme dhe më të sigurt
viber_slika_romi
Romët ende jetojnë në margjinat e shoqërisë dhe pa qasje thelbësore në të drejtat e tyre
BijeloPoljepreskonf1
(Mos)besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit dhe perceptimi i punës së drejtësisë
trening sa fudbalerima 03.26
Përmes sportit drejt mirëkuptimit dhe përfshirjes më të madhe shoqërore të të rinjve nga komuniteti RE

Kërko