Na kontaktoni!

+382 20 513 687

Search
Close this search box.

Ndikimet politike dhe mungesa e transparencës vazhdojnë të jenë të pranishme në arsim

Pavarësisht disa përparimeve në sistemin arsimor, korrupsioni dhe ndikimet politike vazhdojnë të paraqesin një sfidë serioze, ndërsa sistemi ende nuk është mjaftueshëm rezistent ndaj mungesës së transparencës dhe praktikave partitokratike, u përfundua në Forumin Antikorrupsion ‘Korrupsioni në arsim’, i cili u organizua sot në Podgorica nga Aleanca Qytetare dhe BIRN CG.

Në pjesën hyrëse të Forumit folën Momo Koprivica, zëvendëskryeministër i Qeverisë për sistemin politik, drejtësinë dhe antikorrupsionin, Pavle Qupiq, kryetar i Këshillit të ASK-së, Vuk Marash, drejtor ekzekutiv i BIRN CG, dhe Ivan Raduloviq, koordinator i programit për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë në GA.

Në panelin e parë ‘Çfarë po ndodh në shkolla – politika, financat, pavarësia’ morën pjesë Radomir Bozhoviq, kryetar i Sindikatës së Arsimit të Montenegro, Boris Mariq, koordinator i CEGAS-it, dhe Andrea Popoviq, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së MASTER.

Radomir Bozhoviq paralajmëroi se shkollat dhe të punësuarit në arsim prej vitesh janë të ekspozuar ndaj presioneve politike, punësimit jotransparent dhe mungesës së mbështetjes sistematike. Ai veçanërisht vuri në dukje problemin e politizimit të zgjedhjes së drejtorëve dhe vlerësoi se ‘politizimi është plaga kancerogjene e sistemit arsimor’, duke theksuar se cilësia e arsimit varet drejtpërdrejt nga pozita dhe motivimi i mësimdhënësve.

Bozhoviq theksoi se punonjësit e arsimit shpesh nuk ndihen mjaftueshëm të mbrojtur për të raportuar parregullsi, pasi janë të ekspozuar ndaj presioneve nga prindërit, nxënësit dhe një pjesë e administratave të shkollave, ndërsa epilogët gjyqësorë në raste të tilla mungojnë. Ai paralajmëroi gjithashtu për mungesën serioze të kuadrit mësimor, sistemin arsimor të vjetëruar dhe interesimin gjithnjë e më të vogël të të rinjve për profesionin e mësuesit, duke theksuar se një numër i madh i të punësuarve sot nuk do t’ua rekomandonin të rinjve të punojnë në arsim.

Boris Marić vlerësoi se problemet si diplomat e blera nuk janë incidente të izoluara, por pasojë e mungesës shumëvjeçare të reformave thelbësore në sistemin arsimor. Ai paralajmëroi se modeli ekzistues i arsimit është i vjetëruar dhe i papërshtatur me nevojat e të rinjve, për shkak të së cilës nxënësit po humbin gjithnjë e më shpesh motivimin dhe perspektivën për ta ndërtuar arsimin dhe të ardhmen e tyre në Mal të Zi.

Ai gjithashtu theksoi se korrupsioni në arsim nuk nënkupton vetëm përfitim financiar, por edhe forma të ndryshme favorizimi, përfshirë formimin e ‘klasave VIP’ dhe trajtimin e pabarabartë të nxënësve. Duke folur për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave, ai theksoi se, pavarësisht disa përmirësimeve të kritereve, sistemi ende mbetet nën ndikim të fortë politik, për shkak të së cilës është e domosdoshme decentralizimi i arsimit dhe krijimi i komisioneve të pavarura që, me kritere të qarta dhe me mendimin e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, do të zgjidhnin drejtuesit e shkollave.

Andrea Popoviq vuri në dukje rezultatet e një hulumtimi të zhvilluar me rreth 500 mësues dhe mësuese, sipas të cilit më shumë se 80 për qind e të anketuarve konsiderojnë se drejtorët e shkollave janë zgjedhur mbi baza partiake. Siç deklaroi ajo, një numër i madh i të punësuarve besojnë se konkurset për zgjedhjen e drejtorëve janë vendosur paraprakisht, për këtë arsye as nuk aplikojnë në konkurse, dhe mendojnë se përkatësia partiake dhe lidhjet politike shpesh janë më të rëndësishme për avancim sesa profesionalizmi dhe puna.

Popoviq paralajmëroi edhe për parregullsitë në organizimin e shkollave në natyrë, ku për të njëjtat aranzhime ekzistojnë çmime të ndryshme dhe programe arsimore jo të njëjta. Duke folur për reformat, ajo theksoi se është e domosdoshme të vendoset transparencë më e madhe në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, duke përfshirë publikimin publik të arsyetimeve për vendimet e përzgjedhjes, mospjesmarrje në fushata politike, si dhe trajnime të vazhdueshme për drejtorët e shkollave në fushën e menaxhimit dhe administrimit të institucioneve arsimore.

Në panelin e dytë “Integriteti i sektorit të arsimit”, folëse ishin Aleksandra Despotoviq, deputete në Kuvendin e Malit të Zi, Branka Boshnjak, si dhe Marija Peshiq, gazetare e ND Vijesti.


Deputetja Despotoviq vlerësoi se roli i Kuvendit dhe i komisioneve përkatëse në mbikëqyrjen e sistemit arsimor është i kufizuar, pasi pjesa më e madhe e kompetencave mbetet në duart e pushtetit ekzekutiv. Ajo theksoi mungesën e transparencës në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, duke deklaruar se listat e renditjes, arsyetimet e vendimeve dhe informacionet e mjaftueshme mbi përbërjen e komisioneve që vendosin për përzgjedhjen e kandidatëve nuk janë të qasshme për publikun.

Despotoviq gjithashtu theksoi nevojën për profesionalizimin e këshillave shkollorë, përmes përfshirjes së anëtarëve profesionalë dhe kompetentë që e njohin sistemin arsimor dhe mund të kontribuojnë në menaxhim më cilësor të shkollave. Duke folur për arsimin e lartë, ajo vlerësoi se Universiteti i Malit të Zi po bën përpjekje për ruajtjen e integritetit akademik përmes kontrollit të cilësisë së punës së profesorëve, vlerësimeve nga studentët dhe digjitalizimit të diplomave, por paralajmëroi se shteti duhet të krijojë kushte më të mira që të rinjtë, pas shkollimit jashtë vendit, të kenë motiv të kthehen dhe të realizohen profesionalisht në Mal të Zi.

Branka Boshnjak vlerësoi se Universiteti i Malit të Zi, edhe pse nuk është plotësisht i përjashtuar nga ndikimet politike të pranishme në shoqëri, ende përfaqëson “pjesën më të shëndoshë të sistemit”, ku sot ka më pak presione partiake sesa më parë. Megjithatë, ajo theksoi se Universiteti duhet të ketë një rol më të fortë kritik në shoqëri dhe të reagojë më aktivisht ndaj dukurive negative shoqërore, në vend që të mbetet një vëzhgues pasiv i proceseve që minojnë besimin në institucione dhe vlerën e dijes.

Duke folur për largimin e të rinjve jashtë vendit, Branka Boshnjak theksoi se problemi nuk qëndron te fakti që studentët largohen, por te arsyet pse ata nuk dëshirojnë të kthehen, duke përmendur ndjenjën e padrejtësisë, ndikimin partiak dhe mungesën e meritokracisë. Ajo paralajmëroi veçanërisht për rritjen e apatisë mes studentëve dhe mungesën e transparencës në organizatat studentore, duke vlerësuar se sistemi arsimor ka nevojë për reforma serioze, përfshirë përmirësimin e kritereve të pranimit dhe përshtatjen e arsimit të lartë me ndryshimet bashkëkohore teknologjike dhe shoqërore.

Marija Peshiq deklaroi se sistemi arsimor pasqyron gjendjen në shoqëri, duke theksuar se përveç presioneve të shumta, ekzistojnë edhe ato që shfaqen përmes presioneve të punonjësve të arsimit ndaj kolegëve, sidomos nga grupimet partiake nëpër shkolla, ndërsa nga ana tjetër kemi mësimdhënës që nuk janë politikisht aktivë dhe që i nënshtrohen kontrolleve të shumta.

Ajo veçanërisht theksoi problemin e orëve private, duke paralajmëruar se kjo i thellon edhe më shumë dallimet mes fëmijëve, pasi jo të gjithë prindërit kanë mundësi të financojnë mësim shtesë, gjë që krijon hendek mes nxënësve dhe dëmton barazinë në arsim.

Galeri

Shpërndajeni në rrjetet sociale

Lajmet e fundit

panel
Rezultatet konkrete dhe transparente të drejtësisë janë kyçe për rikthimin e besimit të qytetarëve
analiza-web
Njëzet vjet reforma pa rritje të dukshme të besimit në sistem gjyqësor
Trashëgimia e së kaluarës dhe përgjegjësia e lidëreve dhe lidereve të rinj për të ardhmen
Panel I
Ndikimet politike dhe mungesa e transparencës vazhdojnë të jenë të pranishme në arsim
GA 16x9 bez teksta
Pothuajse gjysma e të rinjve mendojnë se institucionet nuk i dëgjojnë, pjesëmarrje pa ndikim të vërtetë

Kërko